Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Në një fjalim të mbajtur online në mbledhjen para anëtarëve të kryesisë së PD-së, kryetari Sali Berisha tha se dënimi i deputetit Ervin Salianji është një akt hakmarrjeje nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe rrjetet kriminale që ai pretendon se kontrollojnë vendin. Sipas Berishës, ky dënim është një sulm i hapur ndaj opozitës dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë.
“Edi Rama shpalli luftë të hapur PD-së, shpalli luftë të hapur opozitarëve dhe mbarë qytetarëve. Asnjë njeri i ndershëm nuk mund ta konsiderojë ndryshe dënimin e deputetit Ervin Salianji veçse një ndëshkim, një hakmarrje primitive, e verbër e klaneve më të egra mafioze, të cilat midis një prite diku në errësirë, zgjodhën narkoshtetin për t’i dhënë përgjigjen hakmarrëse që mendonin” – tha Berisha.
Berisha përmendi rastin e Durim Bamit, i cili kishte bërë një kallëzim të rremë për një komplot të pretenduar nga Ilir Meta, por nuk u dënua.
“Durim Bami mori përsipër të kallëzojë se Ilir Meta kishte porositur tek ai vrasjen e një eksponenti të lartë politik. Fund e krye mashtrim. U gjykua për kallëzim të rremë dhe shkoi në shtëpi të vet. Ervin Salianji bëri denoncimin publik, nuk dërgoi asgjë në prokurori.
Por ai denoncoi Ramën dhe Xhafën se ishin bërë mburojë e trafikantit kryesor të Vlorës dhe për këtë ai, opozitar, dënohet në një proces që ndoshta edhe në diktaturat më të zeza, më të egra, shumë vështirë të ndodhte” – tha Berisha.
Berisha theksoi se në asnjë vend tjetër në Evropë, madje as në regjime autoritare si Rusia e Putinit apo Bjellorusia e Lukashenkos, nuk ndodhin të tilla përndjekje politike. ©LAPSI.al
The post Berisha: Me dënimin e Salianjit, Rama na ka shpallur luftë appeared first on Lapsi.al.
