Denoncimi i Geron Xhafajt/ Salianji dënohet me 1 vit burg

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Ervin Salianji do të bëjë 1 vit burg për denoncimin që i bëri vëllait trafikant të Fatmir Xhafajt në vitin 2018, sipas përgjimit të realizuar nga gazetari Jetmir Olldashi dhe ish-skafistit Albert Veliu. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë, sipas së cilës deputeti i PD-së është fajtor sepse ka denoncuar vëllain e Fatmir Xhafajt, i dënuar në Itali për trafik droge dhe që sipas mikut të tij, Albert Veliu (Babalja) vazhdonte të çonte drogë përtej Adriatikut, edhe në kohën që i vëllai ishte ministër i brendshëm. Bashkë me të është dënuar me 6 muaj shërbim prove edhe gazetari Jetmir Olldashi, që udhëtoi drejt Vlorës për të përgjuar vëllain e Fatmir Xhafës në një nga lokalet e zonës.

Në dalje të gjykatës, Salianji tha se do të vuajë dënimin me burg dhe se beteja e tij nuk ishte për interesa personale, por për një kauzë publike.

Që kur u publikua në vitin 2018, audio-përgjimi u shoqërua me një sërë pikëpyetjesh. Investigimi i gazetarit Jetmir Olldashi, të cilin Ervin Salianji e denoncoi nga PD kishte disa pika të paqarta. Por ajo që ndodhi më pas, kur u fabrikua një dëshmitar i rremë si Fredi Alizoti dhe kur u publikuan bisedat që ai kishte bërë me të policët e Ardi Veliut, historia u pa qartë që ishte manipuluar për të dënuar me burg Ervin Salianjin.

Përgjimi i Agron Xhafajt, vëllait trafikant të Ministrit të Brendshëm

Albert Veliu, një ish-skafist i mbetur pa punë në Vlorë ishte njeriu që denoncoi publikisht vëllain e ministrit të brendshëm të kohës, Agron/Geron Xhafajn. Sipas tij, Agron Xhafaj kishte një linjë të trafikut të drogës nga Vlora drejt Italisë dhe për këtë përdorte shefat e policisë. Shkak për denoncimin ishte një hatërmbetje e vjetër që Albert Veliu kishte me Agron Xhafajn, i cili asnjëherë nuk e kishte ndihmuar pavarësisht dënimit me burg që ai kishte bërë në të kaluarën.

Ndaj, Albert Veliu thirri në Vlorë gazetarin Jetmir Olldashi, që ishte i punësuar në emisionin Të paekspozuarit, me premtimin se do ta ndihmonte të zbulonte parcelat me kanabis dhe mënyrën se si trafikohej droga drejt Italisë.

Sipas rrëfimit të gazetarit Jetmir Olldashi, ai e njohu ish-skafistit Albert Veliu me pseudonimin Babale, përmes një burimi të tij. Veliu shprehej se vëllai i ministrit të brendshëm, Agron Xhafaj vazhdonte të drejtonte një linjë të trafikut të drogës dhe për këtë ishte i gatshëm të bënte një bisedë për të dërguar në Itali një sasi kanabisi dhe ndërkohë ishte i gatshëm ta regjistronte me një pajisje.

Kur ka shkuar në Vlorë, gazetari tha se kishte dëgjuar Albert Veliun të fliste në telefon me një person të cilin e thërriste “Pasha” dhe që sipas tij ishte Agron Xhafaj. Ai kishte konfirmuar numrin e telefonit në atë kohë, për të cilin rezultonte se ishte i Agron Xhafajt nga aplikacioni TrueCaller.

Kur kishin shkuar bashkë në një lokal në Vlorë, herën e parë Agron Xhafajn, por ai nuk ishte paraqitur. Kohën e pritjes e shfrytëzuan për të filmuar dhe për të përgjuar disa kultivues të kanabisit në Vlorë, filmime që u transmetuan në media.

Kur janë kthyer sërish në lokal, gazetari Jetmir Olldashi tha se kishte pasur frikë se do të zbulohej dhe kishte preferuar të qëndronte në një lokal tjetër aty pranë. Babalja që kishte marrë pajisjen përgjuese dhe kishte hyrë në një lokal, nga ku kishte dalë pas disa minutash.

Ky është momenti kur ish-skafisti Albert Veliu, gazetari Jetmir Olldashi dhe deputeti që denoncoi skandalin Ervin Salianji thonë se ndodhi përgjimi në takim me Agron Xhafajn.

“Nga zbardhja e bisedës së përgjuar, Albert Veliu i kishte kërkuar ndihmë Agron Xhafajt për të trafikuar një sasi kanabisi drejt Italisë dhe Agron Xhafaj e kishte dërguar tek një person për të mbaruar punë” do të shprehej gazetari Jetmir Olldashi më vonë.

Biseda e publikuar nga Partia Demokratike

Përgjimi publikua nga Partia Demokratike në emër të së cilës ka folur Ervin Salianji. Personi që kishte kryer përgjimin, u  shfaq nën pseudonimin “Dëshmitari X” në maj të vitit 2018. Dëshmitari X ishte Albert Veliu, ish-skafist i njohur me pseudonimin Babalja.

Bashkëpunëtori X tregonte se si la takim me Agron Xhafajn në Vlorë nëpërmjet numrit të telefonit 0672014472, i konfirmuar se i përket vëllait të Ministrit të Brendshëm. Edhe kjo bisedë ishte e regjistruar. Në përgjimin ambiental dëgjohej vetëm bashkëpunëtori X që po flet në telefon me Agronin.

Nis biseda telefonike në makinë mes Bashkëpunëtorit X dhe Agron Xhafajt.

Bashkëpunëtori X – O pasha ça bën mo, si dukesh?
Agroni –
Bashkëpunëtori X – Mirë vëlla. Ti vetë?
Agroni-
Bashkëpunëtori X – Isha andej nga Toto qorri. Do të të merrja në telefon të të ftoja për drekë, por më thanë që ishe larg. Dëgjon vëlla?

Pasi la takimin, Albert Veliu shkoi në lokal nga ku doli me një audio-përgjim ku zhvillohej biseda më poshtë:

Agron Xhafaj e pret bashkëpunëtorin X në një lokal që, në Vlorë njihet si lokali i vëllait të Ministrit të Brendshëm.

Bashkëpunëtori X – Ça bëre? Si ke qenë nga shtëpia ti?
Agron- Mirë o mirë, ti mirë?
Bashkëpunëtori X – Mirë.
Agron – Mirë keni qenë? Ça bëre ndonjë gjë?
Bashkëpunëtori X – Mirë
Agroni- Si ia kalove? Ça bëre ndonjë gjë të re?
Bashkëpunëtori X – Mirë vëlla mirë. Dëgjo, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…
Agroni- Një herë më ke marrë mua në telefon ti. Ndonjë gjë tjetër ça ke bërë?
Bashkëpunëtori X – Hiç, ja erdha për atë që të thash, për të bërë rrugën
Agroni- Dëgjo tani, ti e kupton si janë gjërat. Këta plehrat po na sulmojnë shumë ore.
Agroni- Përmend një fjali me 5-6 fjalë, por nuk kuptohet mirë.
Agroni- Do të të çoj unë te Ermali ore, është shumë im i ngushtë.
Bashkëpunëtori X – Të faleminderit shumë. Se erdha ngaqë jam keq vlla, se nuk erdha nga e mira.
Agroni- Dëgjo, hera e parë dhe e fundit dhe mos na bjer më në qafë. Se po na sulmojnë shumë ore. Shiko edhe vëllanë (Fatmir Xhafaj). Shumë fare po na e sulmojnë. Të jetë hera e parë dhe e fundit.
Bashkëpunëtori X – E mirë vlla mirë.
Agroni- Mirë pra, ndonjë gjë tjetër çar ke bërë?
Bashkëpunëtori X – Hiç asgjë.
Agroni- Na kanë nxjerrë emrin. Mos më bjer më në qafë, aman të keqen! Ata të tjerët në Itali, e shikon (thote 2-3 fjalë që nuk kuptohen, sepse fjalin njëkohësisht me Bashkëpunëtorin X).
Bashkëpunëtori X – Mirë vëlla mirë, (thotë 2-3 fjalë që nuk kuptohen) Ne duke pirë kafe jemi, s’e vrasim mendjen.
Agroni- Ndonjë gjë tjetër nga shpia?
Bashkëpunëtori X – Mirë të gjithë. Ti vetë?
Agroni- Mirë, mirë
Bashkëpunëtori X – Mirë o vlla rrofsh, faleminderit.
Agroni- Po na sulmojnë ata, keq fare.
Bashkëpunëtori X – Mirë, mirë.
Agroni- Kalofsh mirë.
Bashkëpunëtori X – Falemiderit njëherë për të gjitha. S’të nxjerr asnjë problem. Rrofsh edhe për kafen.
Agroni- Aman o të keqen vllai, hera e parë dhe e fundit, mos më bjer më në qafë.
Bashkëpunëtori X – Po ik o se s’të bije më në qafë, po kisha një problem se kam një hall edhe unë. Ta bëra si vëlla.
Agroni- Po gjërat nuk e shikon si janë?
Bashkëpunëtori X – Se e njohim njëri – tjetrin.
Agron – Ata në Itali janë zbërthyer komplet ore.
Bashkëpunëtori X – Mirë o mirë, hajde rrofsh. Flas unë me Ermalin. Pa merak.
Agroni- Te Ermali vëlla.

Dyshimet e para për investigimin

Përgjimi publikua fillimisht nga Partia Demokratike dhe jo nga një media. Fakti që bëhej nga zyrat e një partie politike e dobësonte besueshmërinë e punës gazetareske, edhe pse pas denoncimit, PD u tërhoq disi për ta trajtuar si një investigim të gazetarit Jetmir Olldashi dhe dëshmitarit Albert Veliu.

Po ashtu, versionet që tregonin Albert Veliu dhe Olldashi në ditët e para të publikimit ishin kontradiktore. Emblematike mbetet intervista e parë mes tyre kur i pari e pyeste të dytin: “Kush e bëri përgjimin?”. Dhe vetëm një ditë më pas pohuan se e kishin bërë bashkë.

Një nga pikat më të dyshimta të investigimit është momenti kur është regjistruar zëri i Agron Xhafajt. Gazetari Jetmir Olldashi ka pranuar se ai nuk ka qenë prezent kur  takohen së bashku Xhafaj me Veliun. Ai konfirmon bisedën telefonike me numrin e Xhafës, futjen në lokalin e këtij të fundit dhe faktin që Veliu aty ishte i njohur, por ai nuk vë dorën në zjarr nëse dy personazhet flasin realisht me njëri- tjetrin apo jo.

Largimi i Agron Xhafajt jashtë Shqipërisë

Hapi i parë që ndërmori Fatmir Xhafaj, në atë kohë ministër i brendshëm ishte largimi i të vëllait drejt Italisë. Në Itali, Agron Xhafajt e priste burgu, pasi atje ishte i dënuar për trafik droge. Në vend se të qëndronte në Shqipëri, të dilte publikisht dhe të mbrohej me alibinë që zëri në audio-përgjim nuk ishte i tij, Agron Xhafaj nxitoi të largohet jashtë vendit.

Largimi i tij jashtë vendit la një pikëpyetje të madhe. Çfarë zëri ka Agron Xhafaj? A është i ngjashëm zëri i tij me atë të personit që dëgjohet në audio-përgjim?

 

Nëse denoncimi i Agron Xhafajt kishte disa pika të dobëta, ajo që ndodhi më pas e konfirmoi atë katërcipërisht.

Largimi i Agron Xhafajt nuk mund të ndodhte pa ndihmën e Edi Ramës dhe pa ndihmën e prokurorisë që në atë kohë drejtohej nga Arta Marku.

Pas publikimit të audio-përgjimit, Agron Xhafaj u paraqit me urgjencë natën në prokurorinë e Tiranës ku iu bënë disa regjistrime. Kampionët e zërit u morën për të bërë një krahasim mes zërit që dëgjohej në bisedat me Albert Veliun dhe zërit të Agron Xhafajt.

Por pa pritur rezultatin, pa dalë asnjëherë në publik në mënyrë që publiku të bënte vetë një krahasim të zërave, Agron Xhafaj u largua me urgjencë drejt Italisë, pa dhënë asnjë shpjegim nëse kishte njohje me Albert Veliun, nëse kishte folur me të ndonjëherë, nëse e kishte takuar, nëse numri i telefonit ishte i tij, etj etj. Prokuroria nuk e ndaloi për verifikime, por pasi mori kampionet e zërit e la të lirë.

Në përpjekjen për të amortizuar skandalin dha një dorë edhe Edi Rama. Kryeministri tha se kishte marrë një përgjigje nga një laborator, të cilin nuk e tregoi asnjëherë. Ai tha se biseda ishte e manipuluar dhe se kishte besim tek fjalët e Fatmir Xhafajt.

“Nuk jemi përpara një akti kompromentues të ministrit të Brendshëm po akti mashtrimi të një materiali autentik përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE” u shpreh Rama që i doli në krah Xhafajt, ndërsa kishte bërë ndërmend ta shkarkonte pak muaj më vonë.

Dëshmitari i rremë, Fredi Alizoti

Duke pasur nën kontroll Ministrinë e Brendshme, ku kishin emëruar drejtor të përgjithshëm, Ardi Veliun, nuk e patën të vështirë të fabrikojnë një dëshmitar të rremë. Ky ishte Fredi Alizoti, i njohur me skafistin Albert Veliu, i cili i kishte kërkuar mbrojtje pas denoncimit të skandalit.

Fredi Alizoti pranoi se zëri në audio-përgjimin që publikoi opozita ishte i tij. Ai u ofrua vetë të bëjë burg. Shkoi në policinë e Fierit dhe pranoi aty se ish-skafisti Albert Veliu i kishte premtuar 200 mijë euro, të cilat duhet t’ia jepte Ervin Salianji.

Edhe në gjykatë, i ndërgjegjshëm se do të dënohej me burg, ai pranoi se kishte qenë pjesë e inskenimit për të futur në kurth, Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafajt.

Prokuroria mori menjëherë kampionet e zërit të Fredi Alizotit dhe laboratori i huaj që do të bënte ekspertizën e përgjimit doli në përfundimin se zëri në audio-përgjim ishte i ngjashëm edhe me zërin e Agron Xhafajt, por edhe me zërin e Fredi Alizotit.

Kur Fredi Alizoti pranoi se kishte imituar zërin e Agron Xhafajt, mazhoranca e kapur në një skandal të rëndë thirri “fitore”. Vetë Rama kërkoi arrestimin e denoncuesve. “Pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar, qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund?”, u shpreh Rama.

Por historia nuk mbaroi këtu.

Lorenc Hoxha, (ish-drejtues i policisë bashkiake gjatë kohës kur Lulzim Basha ishte kryetar bashkie), përgjoi Fredi Alizotin që tregonte se si policë dhe politikanë i kishin premtuar para për të dalë dhe për të thënë se në përgjim ishte zëri i tij dhe jo i Agron Xhafajt. Në bisedën e përgjuar, Alizoti tregonte se si drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu  e kishte marrë në makinë dhe e kishte çuar në prokurori për të dëshmuar.

Ndërkohë, Salianji, për të cilin nisi hetimi nga prokuroria publikoi dokumenta që tregonin se Fredi Alizotit i kishin premtuar para për të pranuar se ishte pjesë e një inskenimi.

Pergjimet e Alizotit, dokument i publikuar nga Ervin Salianji
Pergjimet e Alizotit, dokument i publikuar nga Ervin Salianji

Unë i kam muhabetet, të bëjë dhe një vit burg të marrë dhe atë që më takon dhe të shikoj hallin. Ai motërq*** Pse se hapin telefonin k*rvat” dëgjohet të ankohet ai në një prej bisedave të administruara nga policia, pasi aktori i paguar ankohej se nuk po e shpërfillnin.

Të njëjtën gjë provonin edhe bisedat e tjera të administruara nga prokuroria. Sipas bisedave që ka publikuar Ervin Salianji,  dëshmitarit i rremë, Fredi Alizotit ankohet tek drejtori i policisë së Fierit Albert Nushi, i cili pranon t’i japë para, ndërkohë që ky i kërkon të takohet me “shefin e madh”.

Bisedat e Alfred Alizotit me drejtorin e policise se Fierit, Albert Nushi
Bisedat e Alfred Alizotit me drejtorin e policise se Fierit, Albert Nushi

Nga përgjimet e prokurorisë del vazhdimisht se Fredi Alizotit i janë bërë premtime edhe nga një person që quhet Taulant. Sipas denoncimeve të Partisë Demokratike, ky ishte Taulant Balla që ishte angazhuar direkt në manipulimin e dëshmitarit të rremë, bashkë me policët e Ardi Veliut.

Gjatë viteve që pasuan, Ervin Salianji ka publikuar dokumenta dhe telefonata të administruara nga prokuroria, që tregojnë se Fredi Alizoi është një dëshmitar i fabrikuar, një aktor i paguar për të mbyllur skandalin e trafikut të drogës, nën dirigjimin e vëllait të ministrit të brendshëm.

Por të gjitha këto prova dhe fakte janë hedhur në kosh nga gjykata. Përfundimisht Salianji u ndëshkua me burg dhe ky është një mesazh për cilindo që ngre zërin dhe denoncon skandalet e pushtetit në këtë vend.

Lexo edhe” Përgjimet e reja/ Fredi Alizoti: Do ta zgjidhësh ti apo shefi lart?

Lexo edhe: “Hap gojën sa do, i tha shoku nga Librazhdi”, Salianji nxjerr përgjimet e reja të Alizotit

Lexo edhe: Skandali i përgjimeve të Babales/ Alizoti: Bëj 1 vit burg dhe marr atë që më takon

The post Denoncimi i Geron Xhafajt/ Salianji dënohet me 1 vit burg appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *