Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Gjykata e Apelit vendosi këtë të enjte lënien në fuqi me 1 vit burg për deputetin demokrat, Ervin Salianji, lidhur me dosjen “Babale”. Dënimi është i formës së prerë dhe mund t’i heqë Salianjit mandatin e deputetit.
Avokati i tij, Redi Ramaj u shpreh për mediat se se duhet kuptuar fillimisht nëse është vendim i formës së prerë. Nëse është i tillë Salianjit i hiqet mandati.
“Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë. Vendimi i formës së prerë është një nga raste kur deputeti e humb mandatin. Do të kërkohen të gjitha mjetet e nevojshme ligjore, për të zhbërë një vendim të padrejtë. Do të kërkojmë pezullimin e dënimit në Gjykatën e Lartë” – tha Ramaj.
Emri që mund të pasojë Salianjin në Kuvend është demokrati Andrea Mano. Ky i fundit ka mbajtur në të kaluarën detyrën e drejtuesit të PD-së në qytetin e Korçës.
Paraditen e së enjtes, Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për veprën penale të kallëzimit të rremë për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ndërsa ky i fundit e quajti procesin të montuar dhe veten si të dënuar politik.
Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar. Pasi kreu kallëzimin, Geron Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane të drejtësisë për të vuajtur një dënim më të hershëm për trafik droge.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, ndësa i akuzuari si bashkëpunëtor po për “kallëzim të rremë”, gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj heqje lire, por që u pezullua ekzekutimi i kësaj mase dhe dënimi u konvertua me 100 orë pune në interes të publikut.
Për të pandehurin Albert Veliu u vendos dënimi me 10 muaj burg për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit” dhe 2 vjet e 10 muaj burgim “Kallëzim i rremë” në bashkëpunim, që në bashkim të tyre u vendos dënimi final me 3 vjet e 5 muaj burgim. Ndërsa Fredi Alizoti u dënua me 2 vjet burgim për “Kallëzim të rremë”. ©LAPSI.al
The post Kush pritet të zëvendësojë Salianjin në Kuvend nëse ai humb mandatin appeared first on Lapsi.al.
