Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Depozitat në sektorin bankar u rritën me më shumë se 19 miliardë lekë për muajin gusht.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i depozitave të përfshira në përkufizimin e parasë së gjerë arriti vlerën e 1.33 trilionë lekëve.
Megjithatë, rritja vjetore e depozitave u ngadalësua ndjeshëm në 3.7%, nga 6.7% që kishte qenë në fund të muajit korrik.
Kjo nënkupton se shtesa e depozitave gjatë muajit gusht ka qenë ndjeshëm më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pjesërisht, kjo mund të jetë ndikuar edhe nga vijimi i zhvlerësimit të euros në kursin e këmbimit në lekë, faktor që ka ndikuar negativisht vlerën e depozitave në valutë të huaj.
Sezoni veror është një periudhë që historikisht shoqërohet me një rritje të përshpejtuar të depozitave.
Deri para disa vitesh kjo ka qenë e lidhur sidomos me kthimin e emigrantëve për pushimet verore, ndërsa në vitet e fundit besohet se ky efekt është i lidhur sidomos me turizmin.
Në mënyrë të tërthortë, kjo dëshmohet edhe nga struktura e depozitave sipas monedhës. Depozitat në valutë të huaj kanë dhënë kontributin kryesor në këtë rritje.
Ato arritën vlerën e barazvlefshme të 738 miliard lekëve, me një rritje prej më shumë se 20 miliardë lekë krahasuar me muajin korrik. Depozitat në valutë gjatë muajit gusht u rritën paralelisht si llogaritë e bizneseve, ashtu edhe në ato të individëve.
Ato vazhdojnë të dominojnë strukturën totale të depozitave, me më shumë se 55% të totalit.
Megjithatë, me bazë vjetore, depozitat në valutë pësuan një rënie të lehtë me 0.7%. Ende kjo rënie është sidoqoftë e lidhur me efektin e forcimit të lekut në kursin e këmbimit, që ka tkurrur vlerën e depozitave në valutë të huaj.
Depozitat në euro, që dominojnë strukturën totale të depozitave në valutë të huaj, në fund të korrikut arritën vlerën e 7.92 miliard eurove, në rritje vjetore me 11.5%. Kjo tregon se kursi i këmbimit ka patur një ndikim të fortë statistikor në frenimin e rritjes së depozitave në valutë.
Ndërkohë, depozitat në lekë për muajin gusht ranë në 594 miliardë lekë, afërsisht një miliardë lekë më pak krahasuar me korrikun. Megjithatë, me bazë vjetore, depozitat në lekë po shënojnë ritme rritjeje më të larta, me 10% më shumë.
Burimi: Banka e Shqipërisë
The post Depozitat u shtuan me 19 miliardë lekë në gusht, rritja erdhi e gjitha në valutë të huaj appeared first on Revista Monitor.
