Gazetarja e BBC anulon intervistën me Boris Johnson: I dërgova gabimisht pyetjet përpara

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Intervista e planifikuar e prezantueses së BBC-së, Laura Kuenssberg me ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson është anuluar. Kjo, pasi ajo i dërgoi aksidentalisht ish-kryeministrit shënimet e saj për intervistën. Intervista do të transmetohej të enjten në mbrëmje në BBC One.

Gazetarja Kuenssberg e përshkroi atë që ndodhi si “të turpshme dhe zhgënjyese”, por tha se “ndershmëria është politika më e mirë”. Edhe BBC tha se kishte rënë dakord me ekipin e Johnson se anulimi i intervistës ishte “rruga më e mirë përpara”.

Aktualisht Johnson po merr pjesë në intervista në media për të promovuar librin e tij të ri me kujtime. Gazetarët zakonisht punojnë me një ekip studiuesish për të përgatitur një përmbledhje përpara një interviste të rëndësishme. Procesi përfshin mbledhjen e materialit rreth temës, nxjerrjen në pah të polemikave dhe nxjerrjen e linjave të pyetjeve.

Në një deklaratë të postuar në X, Kuenssberg shpjegoi: “Teksa përgatitesha për të intervistuar Boris Johnson nesër, gabimisht i dërgova atij shënimet tona informuese në një mesazh të destinuar për ekipin tim. Kjo padyshim do të thotë se nuk është e drejtë që intervista të vazhdojë.

Është shumë zhgënjyese dhe nuk ka kuptim të pretendosh se është diçka tjetër përveçse e turpshme dhe zhgënjyese, pasi ka shumë pyetje të rëndësishme për t’u bërë. Por ndershmëria është politika më e mirë. Shihemi të dielën” – tha ajo, duke iu referuar programit të saj të rregullt politik në mëngjesin e së dielës, i cili do të vazhdojë normalisht.

Johnson ende pritet të intervistohet nga një gazetar tjetër i BBC, Matt Chorley, në programin “5 Live” të martën. ©LAPSI.al

The post Gazetarja e BBC anulon intervistën me Boris Johnson: I dërgova gabimisht pyetjet përpara appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *