Video/ Teuta dënon Shkëmbin me humbjen e parë: dorëzohet Tirana, asgjësohen me shtylla Vllaznia e Elbasani

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në Elbasan Arena nuk ka fitues mes Vllaznisë e Elbasanit. Katër trarë të goditur për një barazim pa gola, që dorëzon kreun e renditjes te Partizani. Teuta, ndërkohë, i shkaktoi humbjen e parë në kampionat, Bledi Shkëmbit, duke thyer 3-1 Tiranën, në javën e tetë të Superiores.

VLLAZNIA 0-0 ELBASANI

Asnjë fitues mes Vllaznisë dhe Elbasanit, që bën të buzëqeshë Partizanin, tani në krye të renditjes. Në Elbasan Arena katër shtylla e një gol i anuluar me VAR mbajnë paqen dhe dorëzojnë nga një pikë për dy skuadrat. Sidoqoftë, ndeshja u luajt me ritëm të lartë dhe me shumë raste nga të dy skuadrat. Shkodranët kanë qenë në fakt të pafat, duke u ndalur një herë nga shtyllën e dy herë të tjera nga traversa, me portierin Abalora të mundur. Në anën tjetër, Elbasani pa t’i anulohej me VAR një gol në fundin e pjesës së parë. Vllaznia ngjitet në 14 pikë, në shoqërinë e Egnatias e Dinamos, ndërsa Elbasani zbret në vendin e pestë me 13 pikë.

Lexo më tej: Video/ Zabërgja fantastik, Dinamo e Dajës merr kreun për 24 orë: Laçi mbetet i fundit

TEUTA 3-1 TIRANA

Teuta dhe Tirana i dhanë jetë një ndeshje të luftuar në stadiumin “Niko Dovana”, që përfundoi 3-1 në favor të durrsakëve. Shkëmbi pëson kështu humbjen e parë, pikërisht nga ish-skuadra e tij. Shkodrani Arsid Kruja, zhbllokoi rezultatin në minutën e 8’, por euforia te Teuta zgjati vetëm 4 minuta. Tirana barazoi rezultatin me Ismajlin dhe rezistoi deri në pushim.

Gjërat u komplikuan në pjesën e dytë kur dy penallti spostuan ekuilibrat. Kola pengon Nasr por duhet ndërhyrja e VAR për të akorduar 11 metërshin që Torraj e shndërroi në gol në minutën e 74’. Avantazhi i dha kthjelltësi manovrës së skuadrës së Martinit, ndërsa Tirana la hapësira prapa, duke tentuar të evitojë humbjen.

Llogaritë u mbyllën në minutën e 89’ kur arbitri Yzeiraj drejtoi dorën edhe njëherë nga pika e bardhë për faullin e Selmanit ndaj Nasr. Egjiptiani e mori vetë përsipër, u ndal nga portieri në goditjen e tij, por topi I mbërriti sërisht në këmbë dhe këtë herë Selmani nuk mund të bënte më asgjë.

Përfundoi 3-1 dhe është suksesi i dytë radhazi për Teutë, që pret më me qetësi tashmë sfidën e ardhshme me Egnatian, ndërkohë që Tirana shkon drejt derbit me Dinamon e mundur për herë të parë pas 6 barazimesh dhe 1 triumfi me 9 pikë dhe vendin e shtatë në renditje, e kaluar nga skuadra e Martinit, tani me 13 pikë.

The post Video/ Teuta dënon Shkëmbin me humbjen e parë: dorëzohet Tirana, asgjësohen me shtylla Vllaznia e Elbasani appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *