Tropojë/ E zhdukur prej një jave, 48-vjeçarja dyshohet se është vrarë nga burri – Detajet

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një grua 48-vjeçare nga Tropoja është zhdukur prej datës 22 korrik, ditën kur dhe humbi çdo kontakt me familjen, fëmijët dhe të afërmit e saj.

Denoncimi është bërë nga të afërmit e saj, të cilët janë shqetësuar pasi nuk kanë mundur ta kontaktojnë prej ditësh.

Menjëherë pas denoncimit, Policia e Kukësit ka nisur hetimet ku janë marrë në pyetje familjarë të 48-vjeçares, përfshirë dhe fëmijët e saj.

Si rezultat i hetimeve paraprake, dyshohet se në zhdukjen e 48-vjeçares mund të ketë gisht bashkëshorti i saj, 58-vjeçari Imer Shpata, i cili njihet për dhunë të vazhdueshme në familje. Policia ka arrestuar 58-vjeçarin si dhe ka kryer kontrolle në banesën e tij ku janë gjetur dy armë zjarri.

Ndërkohë, burimet konfirmojnë se Imer Shpata ka qenë më parë i dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes, duke vuajtur një dënim prej 8 muajsh burg një vit më parë.

Nga hetimet rezulton se 48-vjeçarja ka kontaktuar për herë të fundit në orën 22:00 të datës 22 korrik, kur ka folur me fëmijët në telefon.

Po këtë natë, duke u gdhirë data 23 korrik, bashkëshorti i saj është larguar nga Tropoja drejt Durrësit me makinë, ku ka qëndruar tek e motra.

Një provë kyçe që ka ngritur dyshime të forta është gjetja e telefonit celular të 48-vjeçares në makinën e burrit të saj. I pyetur nga hetuesit, ai ka mohuar të dijë se si telefoni i gruas përfundoi në automjetin e tij.

Policia e Kukësit vijon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe po këqyr pamjet filmike të kamerave të sigurisë përgjatë rrugës Tropojë–Durrës, ndërsa pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një akti të dhunshëm nga bashkëshorti i saj.

The post Tropojë/ E zhdukur prej një jave, 48-vjeçarja dyshohet se është vrarë nga burri – Detajet appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: