Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit, duke dalë në rrugë i veshur si efektiv policie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrolleve në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes-Benz” me drejtues shtetasin E. B., 20 vjeç, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Pas verifikimeve, rezultoi se i riu nuk ishte pjesëtar i Policisë, ndërsa kontrolli i ushtruar në banesën e tij zbuloi materiale të shumta të dyshuara si të falsifikuara.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
4 dokumente identifikimi me emra dhe fotografi të dyshuara të falsifikuara;
1 armë sportive pistoletë me 2 krehra;
uniformë e Policisë së Shtetit;
16 stema dhe grada të ndryshme;
3 kapele me shenja policie.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse 20-vjeçari është përfshirë në veprimtari të tjera të kundërligjshme për përfitime personale përmes përdorimit të uniformës.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.
The post Mashtronte si efektiv policie – arrestohet 20-vjeçari në Kamëz appeared first on GIJOTINA.
