Trump: Evropianët të dobët, kombet e tyre po kalbëzohen!

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Presidenti Donald Trump e denoncoi Europën si një grup kombesh “në kalbëzim”, të drejtuara nga njerëz “të dobët”, në një intervistë për POLITICO, duke nënçmuar aleatët tradicionalë të SHBA për dështimin në kontrollin e migracionit dhe për luftën Rusi Ukrainë, dhe duke sinjalizuar se ai do të mbështesë kandidatë politikë europianë të përafruar me vizionin e tij për kontinentin.

Sulmi i gjerë ndaj udhëheqjes politike europiane përfaqëson përçmimin më të ashpër të presidentit deri më tani kundër këtyre demokracive perëndimore, duke kërcënuar një ndërprerje të thellë me vende si Franca dhe Gjermania, të cilat tashmë kanë marrëdhënie të tensionuara me administratën Trump.

“Unë mendoj se ata janë të dobët,” tha Trump për udhëheqësit europianë. “Por unë gjithashtu mendoj se ata duan të jenë kaq politikisht korrekt.”

“Mendoj se ata nuk e dinë çfarë të bëjnë,” shtoi ai. “Europa nuk di çfarë të bëjë.”

Trump e shoqëroi tonin e drejtpërdrejtë, madje përplasës, për çështjet europiane, me një sërë deklaratash të forta për çështjet e brendshme të SHBA. Ai tha se mbështetja për ulje të menjëhershme të normave të interesit do të jetë një test besnikërie për zgjedhjen e tij të kryetarit të ri të Rezervës Federale. Ai tha se mund të zgjerojë operacionet antidrogë edhe në Meksikë dhe Kolumbi. Dhe u bëri apel gjyqtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë Samuel Alito dhe Clarence Thomas, të dy në të 70-at, të qëndrojnë në detyrë.

Komentet e Trump për Europën vijnë në një moment veçanërisht të brishtë në negociatat për t’i dhënë fund luftës Rusi Ukrainë, teksa udhëheqësit europianë shfaqin shqetësim në rritje se Trump mund të braktisë Ukrainën dhe aleatët kontinentalë përballë agresionit rus. Në intervistë, Trump nuk ofroi asnjë garanci për europianët dhe deklaroi se Rusia ishte në një pozitë dukshëm më të fortë se Ukraina.

Trump foli me POLITICO të hënën në Shtëpinë e Bardhë me Dasha Burns për një episod special të “The Conversation”. POLITICO të martën e vlerësoi Trump-in si figurën më influente që do të formësojë politikën europiane gjatë vitit që vjen, një titull i dhënë më parë udhëheqësve si presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.

Trump gjatë intervistës me Politico
Trump gjatë intervistës me Politico

Komentet e Trump mbi Europën kontrastuan fort me deklaratat e tij për çështjet e brendshme. Presidenti dhe partia e tij janë përballur me humbje elektorale dhe me kaos në Kongres këtë vjeshtë, teksa votuesit rebelohen ndaj kostos së lartë të jetesës. Trump ka pasur vështirësi të artikulojë një mesazh që pasqyron realitetin e ri ekonomik: në intervistë, ai e vlerësoi performancën ekonomike me “A plus plus plus plus plus,” këmbënguli se çmimet po binin “kudo” dhe nuk dha asnjë plan specifik për rritjet e afërta të primit të sigurimeve shëndetësore.

Megjithë turbulencat në shtëpi, Trump mbetet një figurë e pazëvendësueshme në politikën ndërkombëtare.

Kohët e fundit, kryeqytetet europiane u drodhën nga publikimi i Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare të Trump, një manifest shumë provokues që e paraqet administratën Trump në opozitë me establishmentin politik europian dhe premton të “kultivojë rezistencë” ndaj status quo-së europiane në çështje si emigracioni.

Në intervistë, Trump e thelloi këtë botëkuptim duke përshkruar qytete si Londra dhe Parisi si të rrënuara nga barra e migracionit nga Lindja e Mesme dhe Afrika. “Pa ndryshime në politikat e kufijve, tha Trump, disa shtete europiane “nuk do të jenë më vende të qëndrueshme”.

Duke përdorur gjuhë shumë të fortë, Trump sulmoi kryebashkiakun e majtë të Londrës, Sadiq Khan, djalin e emigrantëve pakistanezë dhe kryebashkiakun e parë mysliman të qytetit, duke e quajtur “një katastrofë” dhe duke ia atribuar zgjedhjen emigracionit: “Ai zgjidhet sepse kanë ardhur kaq shumë njerëz. Tani ata votojnë për të.”

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, të hënën i kundërshtoi deklaratat e administratës Trump dhe i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të respektojë sovranitetin europian dhe të drejtën për vetëqeverisje.

“Aleatët nuk kërcënojnë të ndërhyjnë në jetën demokratike apo zgjedhjet e brendshme të aleatëve të tyre,” tha Costa. “Ata i respektojnë.”

Në bisedë me POLITICO, Trump shpërfilli këto paralajmërime dhe tha se do të vazhdojë të mbështesë kandidatë të preferuar në zgjedhjet europiane, edhe me koston e fyerjes së ndjeshmërive lokale.

“Ia jap mbështetjen,” tha Trump. “Kam mbështetur njerëz, edhe ata që shumë europianë nuk i pëlqejnë. Kam mbështetur Viktor Orbán,” tha ai për kryeministrin ultra të djathtë hungarez, që Trump e admiron për politikat e tij të kontrolleve kufitare.

Lufta Rusi-Ukrainë mbeti çështja ku Trump u përqendrua më shumë. Ai tha se të hënën kishte paraqitur një draft të ri të planit të paqes, që disa zyrtarë ukrainas e kishin pëlqyer, por që Zelenskyy ende nuk e kishte parë. “Do të ishte mirë ta lexonte,” tha Trump.

Donald Trump në intervistën për Politico, me Dasha Burn
Donald Trump në intervistën për Politico, me Dasha Burn

Zelenskyy u takua të hënën me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe dhe përsëriti kundërshtimin ndaj dorëzimit të territorit ukrainas si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

Presidenti tha se nuk kishte shumë besim tek roli i liderëve europianë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës: “Ata flasin, por nuk prodhojnë gjë, dhe lufta vazhdon e vazhdon.”

Duke sfiduar sërish Zelenskyy, i cili duket i dobësuar politikisht në Ukrainë për shkak të një skandali korrupsioni, Trump kërkoi zgjedhje të reja në Ukrainë.

“Ata nuk kanë bërë zgjedhje prej shumë kohësh,” tha Trump. “E quajnë demokraci, por vjen një pikë ku nuk është më demokraci.”

Amerika Latine

Ndërsa pretendon se po ndjek një axhendë paqeje jashtë vendit, Trump tha se mund të zgjerojë operacionet ushtarake që administrata e tij ka ndërmarrë kundër objektivave të lidhur, sipas tij, me trafikun e drogës. Trump ka dislokuar një forcë të madhe ushtarake në Karaibe për të goditur trafikantët e dyshuar dhe për të ushtruar presion ndaj regjimit autoritar të Venezuelës.

Në intervistë, Trump refuzoi të përjashtojë vendosjen e trupave amerikane në Venezuelë si pjesë e një përpjekjeje për të rrëzuar Nicolás Maduro-n, të cilin e akuzon për eksport të drogës dhe personave të rrezikshëm drejt SHBA. Disa figura konservatore në të djathtën amerikane e kanë paralajmëruar se një pushtim tokësor i Venezuelës do të ishte një vijë e kuqe.

“Unë nuk dua ta përjashtoj ose ta përfshij,” tha Trump për vendosjen e trupave, duke shtuar: “Nuk dua të flas për strategji ushtarake.”

Por presidenti tha se do të konsideronte përdorimin e forcës kundër objektivave në vende të tjera ku trafiku i drogës është shumë aktiv, përfshirë Meksikën dhe Kolumbinë.

“Sigurisht që do ta bëja,” tha ai.

Trump mbrojti pak nga veprimet e tij më të debatueshme në Amerikën Latine, përfshirë faljen e tij të fundit të ish presidentit të Hondurasit Juan Orlando Hernández, i cili po vuante një dënim shumëvjeçar në një burg amerikan pasi ishte dënuar për një konspiracion të madh trafiku droge. Trump tha se dinte “shumë pak” për Hernández-in përveç faktit se “njerëz shumë të mirë” i kishin thënë se ai ishte ndjekur padrejtësisht nga kundërshtarët politikë.

“Ata më kërkuan ta bëja, dhe unë thashë ‘do ta bëj’,” pranoi Trump, pa përmendur kush ia kërkoi faljen.

Shëndetësia dhe ekonomia

I pyetur të vlerësonte ekonominë nën drejtimin e tij, Trump i dha asaj notën “A plus plus plus plus plus”. Sa i takon pakënaqësisë së votuesve për çmimet, ai fajësoi administratën Biden: “Unë trashëgova një rrëmujë. Një rrëmujë totale.”

Presidenti po përballet me një realitet të zymtë politik për shkak të krizës së përballueshmërisë: rreth gjysma e votuesve dhe gati 4 në 10 votues që e mbështetën Trump në 2024 thonë se kostoja e jetesës është më e larta që kanë përjetuar ndonjëherë.

Trump tha se mund të bëjë ndryshime të tjera tarifore për të ulur çmimin e disa mallrave, ashtu si ka bërë tashmë, por këmbënguli se tendenca e çmimeve është “në drejtimin e duhur”.

“Çmimet po bien të gjitha,” tha ai. “Gjithçka po bie.”

Çmimet u rritën 3 për qind në 12 muajt deri në shtator, sipas indeksit të fundit CPI.

Vështirësitë politike të Trump e errësojnë edhe vendimin e tij të ardhshëm për të propozuar një kryetar të ri të Rezervës Federale. I pyetur nëse mbështetja për ulje të normave të interesit është një test besnikërie për kandidatin, Trump u përgjigj menjëherë: “Po.”

Ndër kërcënimet më të afërta që rëndojnë mbi amerikanët është skadimi i subvencioneve të zgjeruara të sigurimeve shëndetësore të Obamacare, të cilat Demokratët i vendosën nën administratën Biden dhe që skadojnë në fund të vitit. Primet e sigurimeve pritet të rriten në 2026.

Trump ka qenë pothuajse i padukshëm në negociatat për shëndetësinë në Washington. I pyetur nëse do të mbështeste një zgjatje të përkohshme të subvencioneve, ai tha: “Nuk e di, duhet ta shoh,” dhe sulmoi Demokratët se kishin qenë “shumë bujarë” me kompanitë e sigurimeve.

Një mjegull e madhe pasigurie rrethon qëndrimin e administratës për shëndetësinë. Trump ka premtuar shumë herë se do të publikojë një plan të ri shëndetësor, por nuk e ka bërë asnjëherë. Në intervistë nuk ndryshoi asgjë.

“Dua t’u jap njerëzve sigurim më të mirë shëndetësor me më pak para,” tha Trump. “Njerëzit do të marrin paratë dhe do të blejnë sigurimin që duan.”

I kujtua se familjet amerikane po hartojnë buxhetet familjare për 2026 me shumë pasiguri për primet, Trump u përgjigj: “Mos u bëni dramatikë. Mos u bëni dramatikë.”

Gjykata e Lartë

Pjesë të mëdha të agjendës së tij të brendshme varen nga Gjykata e Lartë, me një shumicë 6 me 3 konservatore, që megjithatë ka kundërshtuar disa nga nismat më agresive të pushtetit ekzekutiv që ka provuar Trump.

Trump foli disa ditë pasi Gjykata e Lartë pranoi të shqyrtojë argumentet për kushtetutshmërinë e shtetësisë me lindje (birthright citizenship). Trump po kërkon ta rrëzojë këtë të drejtë dhe tha se do të ishte “shkatërruese” nëse gjykata e pengon.

Nëse gjykata vendos në favor të tij, Trump tha se nuk kishte vendosur ende nëse do të tentojë heqjen e shtetësisë së njerëzve të lindur shtetas sipas ligjit aktual.

Trump doli kundër disa republikanëve që shpresonin se gjyqtarët më të vjetër konservatorë, Clarence Thomas, 77 vjeç dhe Samuel Alito, 75 vjeç, mund të mendonin të tërhiqeshin para zgjedhjeve afatmesme. Presidenti tha se do t’i donte të qëndronin: “Shpresoj që të qëndrojnë,” tha ai, “sepse mendoj se janë fantastikë.”/Politico

The post Trump: Evropianët të dobët, kombet e tyre po kalbëzohen! appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: