Lihet në burg Jetmir Llanaj, përdorte të miturit për të kërcënuar bizneset

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Gjykata e Lezhës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest me burg” për 46-vjeçarin Jetmir Llanaj, i cili akuzohet si pjesë e një grupi prej 5 personash që vendoste gjoba tek bizneset në Kurbin.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Lezhës dyshohet se 46-vjeçari dhe 4 të tjerë (konkretisht një i arrestuar dhe 3 të proceduar penalisht, më 19 Shkurt), të organizuar si grup, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë.

Sipas policisë, Llanaj përdorte 2 të mitur dhe 2 persona të tjerë që i dërgonte tek bizneset duke përcjellë mesazhet e tij të kërcënimeve për përfitim pasuror të padrejte.

Prej 3 muajsh, grupi i Jetmir Llanajt ishte mbajtur nën vezhgim dhe përgjoheshin duke plotësuar të gjitha provat. Dy të miturit u kapën në flagrancë duke tentuar të merrnin një shumë parash tek një biznes dhe pas ndalimit të tyre dhe të një 39-vjeçari në flagrancë u realizua edhe operacioni për kapjen disa ditë më vonë të Jetmir Llanaj. Ky i fundit u arrestua më 3 Mars në Mamurras.

Jetmir Llanaj është një personazh i njohur i botës së krimit. Ai njihet si autori i vrasjes së Gentian Shkretës dhe plagosjes së vëllait të tij, Emanuel Shkreta. Ai e kreu krimin, pasi mori hak për vrasjen e djalit të tij 9-vjeçar, Indrit Llanaj në vitin 2012.

Jetmir Llanaj u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë, por Apeli e uli, ndërsa mësohet se prej disa muajsh e kishte kryer dënimin dhe ndodhej në liri. Hakmarrja mes fiseve Llanaj dhe Shkreta ka shkatuar disa viktima.

 

The post Lihet në burg Jetmir Llanaj, përdorte të miturit për të kërcënuar bizneset appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: