“Zemër anormalisht e madhe”: Procesi Maradona, ekspertët zbulojnë shkakun e vd*kjes

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Në Argjentinë vijon procesi gjyqësor mbi vdekjen e legjendës Diego Armando Maradona. Sipas mediave lokale, ekspertët që morën pjesë në autopsinë e legjendës argjentinase dhe dëshmuan në gjyqin kundër shtatë punonjësve të shëndetësisë të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, kanë deklaruar se Maradona, i ndarë nga jeta më 25 nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare, kishte një zemër anormalisht të madhe, vuante nga ceroza dhe nuk kishte asnjë gjurmë alkooli apo drogash në organizëm në momentin e vdekjes.

Sipas raportimeve të shtypit të Amerikës së Jugut, eksperti mjeko-ligjor Alejandro Ezequiel Vega deklaroi në gjykatë se zemra e Diegos ishte e “zmadhuar” dhe peshonte rreth 503 gramë, ndërsa pesha mesatare zakonisht varion nga 250 deri në 300 gramë. Vega shpjegoi se ekzaminimi tregoi që Maradona kishte vuajtur nga një ishemi e kahershme, e cila shkaktonte mungesë të qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit. Autopsia përfundoi se Maradona kishte ndërruar jetë si pasojë e një edeme pulmonare akute, e shkaktuar nga një insuficiencë kongjestive e zemrës.

Lexo më tej: Maradona, zbulime të reja në procesin gjyqësor: “I vrarë në bashkëpunim djallëzor”

Legjenda argjentinase ndërroi jetë në një shtëpi në periferi të Buenos Airesit, vetëm disa ditë pasi iu nënshtrua një operacioni për një hematomë të formuar midis kafkës dhe trurit. Sipas akuzës, shtatë profesionistët e shëndetësisë – një neurokirurg, një psikiatër, një psikolog, mjekë dhe infermierë – nuk i kishin ofruar kujdesin e duhur, çka mund të ketë kontribuar në vdekjen e tij.

The post “Zemër anormalisht e madhe”: Procesi Maradona, ekspertët zbulojnë shkakun e vd*kjes appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: