Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, iu drejtua demokratëve dhe simpatizantëve të opozitës disa orë para hapjes së fushatës për zgjedhjet e 11 majit, duke i ftuar ata të angazhoheshin maksimalisht për fitore.
Edhe pse ndodhet në burgun e Fierit, ku po kryen një dënim politik për kallëzim të rremë publik, Salianji i dërgoi një mesazh mbështetësve të PD-së për t’u bërë pjesë aktive e fushatës.
Ai i ftoi ata të marrin pjesë në ngjarjen që zhvillohej në sheshin “Nënë Tereza” dhe theksoi se shpirtërisht ishte aty mes tyre. Mbështetësit e PD-së dhe kandidatët për deputetë shfaqën mbështetje për Salianjin duke mbajtur bluza me emrin e tij.
Në ceremoninë e hapjes së fushatës mori pjesë dhe strategu elektoral i Donald Trump, Chris LaCivita, i cili mbajti një fjalim në podium.
LaCivita theksoi se, si në SHBA, socialistët po përpiqen të burgosin opozitën edhe në Shqipëri, duke ftuar shqiptarët të votojnë për PD-në dhe Sali Berishën. Ai kërkoi mbështetje për t’i dhënë një mundësi vendit dhe për t’i ofruar shpresë shqiptarëve.


The post Ervin Salianji ‘shfaqet’ në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Demokratike appeared first on GIJOTINA.
