Dhunuan oficerët e BKH-së, arrestohen dy nipërit e Agron Kapllanajt dhe një tjetër (Emrat)

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Policia e Fierit ka arrestuar tre persona në lidhje me përplasjen e regjistruar ditën e djeshme në aksin rrugor Fier-Patos, ku njerëzit e biznesmenit dhe ish-kryebashkiakut të Mallakstrës, Agron Kapllanaj kanë dhunuar oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Burime për mediat bëjnë me dije se në pranga janë vënë dy nipërit e Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj, si dhe shtetasit Gerald Kollçaku.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.” – njoftoi ditën e djeshme Policia e Fierit.

Në reagimet për mediat, Agron Kapllanaj ka deklaruar se në kompaninë e tij në Fier, dy herë gjatë ditës së djeshme është shfaqur në vendin e parkimit të firmës një automjet. Sipas tij, ata kanë ngritur një dron dhe nuk janë prezantuar si agjentë të BKH-së, por kanë deklaruar se janë të interesuar për një tokë aty pranë.

Më pas njerëzit e Kapllanajt, kanë ngritur dyshime dhe janë vënë në ndjekje me makina, ku i kanë ndaluar dhe i kanë goditur, sipas Policisë. Ndërkohë, sipas Kapllanajt, oficerët e BKH-së iu kanë treguar pistoletat njerëzve të tij, pa u prezantuar se kush janë.

Pranë biznesit të Kapllanajt janë dhe zyrat e subjektit të tij politik, ku ish-kryebashkiaku nuk kandidon vetë në këto zgjedhje, por mbështet një kandidat të Enkelejd Alibeajt.

Vetë BKH nuk ka ende asnjë reagim, dhe mbetet i paqartë misioni i njerëzve të kësaj strukture në Fier, një zone me tensione të larta në këtë fushatë elektorale.

The post Dhunuan oficerët e BKH-së, arrestohen dy nipërit e Agron Kapllanajt dhe një tjetër (Emrat) appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: