Dinamo mund Egnatian me penallti dhe fiton Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Dinamo është shpallur kampion i Kupës së Shqipërisë pas plot 22 vitesh pritje. Skuadra e Ilir Dajës arriti të triumfojë sot në “Elbasan Arena” përballë Egnatias falë goditjeve të penalltive, duke u treguar më të saktë se rrogozhinasit.

Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2, ndërsa nuk kishte gola as në 30 minutat shtesë dhe është dashur të goditen penalltitë, që të vendoset se kush do të jetë skuadra fituese.

Lojtarët e Dinamos tregohen më të saktë nga pika e bardhë (5-4) dhe fitojnë trofeun e Kupës së Shqipërisë për herë të 14-të në historinë e klubit.

Sa i takon takimit, Dinamo kaloi e para në avantazh me Itodo Mandelën, por Egnatia rikthen shifrat në ekuilibër me Guindon në minutat shtesë të pjesës së parë.

Mandela shënon sërish në pjesën e dytë, por rrogozhinasit kundërpërgjigjen sërish në kohën shtesë, kësaj radhe me Bakajokon.

Një meritë të veçantë për këtë triumf ka trajneri Ilir Daja, që në sezonin e tij të parë te Dinamo, arriti që të rikthejë “blutë” te trofetë.

Nga ana tjetër, Ndalet për momentin seria e sukseseve të trajnerit Tetova, të cilit këtë sezon i mbetet të fitojë vetëm kampionatin.

The post Dinamo mund Egnatian me penallti dhe fiton Kupën e Shqipërisë pas 22 vitesh appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: