Tiranë/ Rrahu gruan e fëmijët dhe qëlloi me kallash drejt policisë, arrestohet 45-vjeçari

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një ngjarje e rëndë, e cila rrezikoi jetën e punonjësve të policisë, ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Kus të Tiranës, ku një 45-vjeçar ushtroi dhunë mbi bashkëshorten dhe fëmijët e tij dhe më pas hapi zjarr ndaj efektivëve që shkuan për të ndërhyrë.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, Policia e Tiranës ka vënë në pranga shtetasin me inicialet L. A., 45 vjeç.

Policia bëri me dije se shërbimet e Komisariatit Nr. 1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u njoftuan se në fshatin Kus një person po dhunonte familjarët e tij dhe posedonte armë zjarri. Menjëherë u organizua puna për kapjen e tij me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës së dhunës në familje.

“Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Forest”, efektivët ndërhynë në banesën e shtetasit L. A. Në momentin që ai vuri re punonjësit e policisë, qëlloi menjëherë me armë zjarri tip kallashnikov në drejtim të tyre. Më pas, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin e pyllëzuar pranë banesës, ai u largua me shpejtësi. Shërbimet e policisë iu vunë në ndjekje autorit. Pas kërkimesh që zgjatën gati dy orë në zonën e pyllëzuar, u bë e mundur neutralizimi, kapja dhe vënia në pranga e 45-vjeçarit“, njoftuan blutë.

Gjatë arrestimit, policia sekuestroi si provë materiale armën e zjarrit kallashnikov, me një fishek në fole, të cilën i arrestuari e mbante me vete. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një mjet prerës (thikë). Të dyja armët posedoheshin pa lejen e organeve përkatëse.

Materialet procedurale pritet t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

The post Tiranë/ Rrahu gruan e fëmijët dhe qëlloi me kallash drejt policisë, arrestohet 45-vjeçari appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: