Raporti: 1200 hapësira, i kanë zënë zyrtarë të qeverisë, familjarë të tyre dhe eksponentë të krimit

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Aksioni i fundit për çlirimin e hapësirave publike, i drejtuar nga qeveria dhe zbatuar nga Policia e Shtetit, IKMT dhe policitë bashkiake, po shfaqet si një përpjekje e vonuar dhe selektive për të korrigjuar një krim të institucionalizuar prej vitesh: uzurpimin sistematik të trotuareve, lulishteve, pedonaleve dhe shesheve publike nga njerëzit me pushtet.

Sipas të dhënave të përpunuara nga institucionet përkatëse, në gjithë vendin janë identifikuar mbi 1200 raste të zaptimit të hapësirave publike, jo nga qytetarë të zakonshëm, por nga zyrtarë të lartë të administratës, drejtues lokalë, biznesmenë të lidhur me politikën dhe individë me ndikim në kupolën e pushtetit, përfshirë edhe përfaqësues të botës së krimit.

Në shumë raste, këto hapësira janë kthyer në bar-kafe, restorante, parkingje private, lavazhe, njësi tregtare, servise dhe biznese të tjera, të ngritura në mënyrë të paligjshme mbi pronën publike. Të gjitha me heshtjen ose me bekimin e bashkive dhe institucioneve ligjzbatuese që sot po i shembin.

Paradoksi më i madh? Institucionet që po ndërhyjnë për çlirimin e hapësirave, janë po ato që i kanë lejuar më parë këto uzurpime, në disa raste, përmes korrupsionit të drejtpërdrejtë.

Sipas një raporti konfidencial të hartuar për Kryeministrinë, mes uzurpuesve figurojnë: sekretarë të ministrive, këshilltarë të ministrave, zv.ministra, drejtorë të qeverisë qendrore dhe të bashkive, përfaqësues të prefekturave, të policisë, të inspektorateve, gjyqtarë, prokurorë, ushtarakë dhe përfaqësues të SHISH-it.

Në një vend normal, kjo panoramë do të konsiderohej skandaloze dhe do të sillte ndëshkime. Por në Shqipëri, këto abuzime cilësohen si “normale”, madje, fshihen nën një aksion të bujshëm televiziv që synon më shumë propagandën sesa drejtësinë.

Aq më tepër që po veprohet me dy standarde flagrante: për disa është urdhër i prerë me fadroma e gjoba, për të tjerët, veçanërisht për ata të lidhur me qeverinë, ka mirëkuptim, negociatë dhe një zbatim “simbolik” të ligjit, sa për të dalë mirë në kamera.

Ka raste që janë “çliruar” me dorë vetë nga vetë uzurpuesit, me dakordësi paraprake, vetëm për të krijuar imazhin e zbatimit të ligjit. Një rast tipik është ai i Gjergj Lucës, i cili liroi një nga hapësirat e zëna në mënyrë demonstrative, ndërkohë që hapësirat e tjera që ka zaptuar nuk janë prekur. Mbi këtë veprim, qeveria ndërtoi një narrativë propagandistike, duke e shitur si model qytetarie.

Në fakt, të njëjtët që urdhërojnë çlirimin e hapësirave publike, janë ata që për vite me radhë kanë mbështetur, toleruar dhe në disa raste stimuluar këtë uzurpim. Dhe pikërisht kjo e bën këtë aksion jo vetëm të vonuar, por edhe të pabesueshëm në synimet e tij reale.

Në fund të ditës, nëse ky aksion nuk prek të gjithë në mënyrë të barabartë, veçanërisht ata me pushtet dhe lidhje politike, ai mbetet vetëm një tjetër spektakël i inskenuar, për të larë ndërgjegjen në ekran, por jo për të kthyer shtetin në normalitet. Dhe sa kohë që shteti bën përjashtime për “të fortët”, ligji mbetet gjithnjë i dobët./Pamfleti

The post Raporti: 1200 hapësira, i kanë zënë zyrtarë të qeverisë, familjarë të tyre dhe eksponentë të krimit appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: