Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e shtetases Onejda Ymeraj, e cila kundërshtoi sekuestrimin e celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme në një procedim penal ku ajo vetë nuk ishte subjekt.
Kërkuesja pretendoi shkelje të së drejtës për fshehtësinë e korrespondencës, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së pronës private.
Gjykata vlerësoi se komunikimet elektronike përfshirë mesazhet përmes platformave online përfshihen në mbrojtjen kushtetuese të nenit 36, duke i konsideruar si formë moderne të korrespondencës njerëzore.
Në përfundim të shqyrtimit Gjykata konstatoi se është cenuar e drejta e kërkueses për fshehtësinë e korrespondencës dhe mbrojtjen e të dhënave personale për pjesët që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.
Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, asgjësimin e kopjeve të të dhënave që nuk kanë lidhje me hetimin dhe vijimin e sekuestrimit për pjesën tjetër nën kontroll gjyqësor.
Gjithashtu Gjykata urdhëroi respektimin e garancive procedurale për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave dhe ngarkoi Prokurorinë e Posaçme për zbatimin e vendimit brenda një afati tremujor
Vendimi nuk ka efekt prapaveprues për çështje të ngjashme të përfunduara ose që nuk janë ankimuar./TCH
The post Sekuestrimi i telefonit nga SPAK, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e qytetares appeared first on Lapsi.al.
