Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Një 31-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kultivim të bimëve narkotike në Lezhë, është arrestuar në Malin e Zi me qëllim ekstradimi në Shqipëri.
Arrestimi është rezultat i operacionit ndërkombëtar “The Wanted” dhe bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Interpol Tirana.
Sipas hetimeve, i riu dyshohet se ka qenë i përfshirë në kultivimin e 1640 bimëve narkotike në zonat Gocaj dhe Rraboshte. Operacioni policor “Vakumi” çoi gjithashtu në sekuestrimin e 34 kg kanabis të gatshëm për shitje.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Finalizohet faza e radhës e operacionit ndërkombëtar “The Ëanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Malin e Zi dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, në Lezhë.
Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Malin e Zi, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar:
M.D., 31 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill 2025, dyshohet se shtetasi M. D., ka bashkëpunuar me 1 shtetas të arrestuar gjatë këtij operacioni, për kultivimin e 1640 bimëve narkotikëve, në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë. Gjatë operacionit “Vakumi” janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit M. D., në Shqipëri.
The post Në kërkim ndërkombëtar për kultivim droge në Lezhë, arrestohet 31-vjeçari appeared first on Lapsi.al.
