Hapja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Berisha thotë se janë vjedhur 180 mln euro

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë një postim në Facebook, përmes te cilit komenton inaugurimin e rrugës Qukës-Qafe Plloçë.

Teksa hedh akuza ndaj qeverisë për vjedhje dhe korrupsion nga projekti i kësaj rruge, Berisha thotë se kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është vepër publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro.

Berisha thotë se çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, në 260 milionë euro

“Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”. Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!”, shprehet Berisha.

Aksi rrugor Qukës – Qafë Plloçë, u hap sot zyrtarisht për qarkullimin e automjeteve. Në ceremoninë përurimit mori pjesë Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë të zonës.

Postimi i plotë i Berishës: 

Inaugurohet pas 16 vitesh rruga “vidh e vidh nuk ka të sosur” prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Ajo duhet të përfundonte në vitin 2014!

Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë “Egnatia” dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009.

Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës “Islamike” për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014.

Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera. Banka “Islamike”, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”.

Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!”

The post Hapja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Berisha thotë se janë vjedhur 180 mln euro appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: