Kuvendi me dy seanca plenare, çfarë pritet të ndodhë sot në Parlament

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot dy seanca plenare. Seanca e parë nis në orën 10:00 dhe do të ketë në fokus zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit, sekretariateve dhe përbërjes së Byrosë së Kuvendit.

Ndërsa seanca e dytë, e parashikuar për në orën 17:00, do të diskutojë dhe miratojë përbërjen e kryesive të komisioneve të përhershme parlamentare.

Një ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim konsultues me krerët e grupeve parlamentare për ndarjen e komisioneve. Sipas marrëveshjes së paraqitur, maxhoranca do të drejtojë 7 komisione, ndërsa opozitës i janë lënë 4.

Partia Demokratike ka kundërshtuar fort këtë ndarje, duke akuzuar maxhorancën se i ka hequr opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit Europian, që historikisht i është besuar opozitës.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i ka përcjellë ankesat edhe pranë ambasadave të huaja në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për të mos lejuar miratimin e njëanshëm të strukturës së re.

Njoftimet:

URDHËR

Nr. 1, datë 15.9.2025

PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 16.9.2025, ORA 10:00

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit,

URDHËROJ:

Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.9.2025, ora 10:00.
Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
Miratimi i procesverbalit të seancave plenare të datës 12.9.2025.
Njoftime.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të Kuvendit”.
Projektvendimi “Për zgjedhjen e sekretariateve të Byros të Kuvendit”.
Projektvendimi “Për përbërjen e Byrosë së Kuvendit”.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

URDHËR

Nr. 2, datë 15.9.2025

PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 16.9.2025, ORA 17:00

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, nenit 21, nenit 22 dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit,

URDHËROJ:

Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.9.2025, ora 17:00.
Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
Projektvendimi “Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV.Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

 

The post Kuvendi me dy seanca plenare, çfarë pritet të ndodhë sot në Parlament appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: