Banorët e gjashtë fshatrave në Vlorë protestë: Premtimet elektorale i kanë harruar

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Banorët e fshatrave Vërmik, Bashaj, Matogjin, Verbas, Ramicë dhe Velçë janë ngritur sërish në protestë këtë të dielë, duke kërkuar ndërtimin e rrugës që i lidh me rrugën e Lumit të Vlorës. Të revoltuar nga mosveprimi i institucioneve, dhjetëra qytetarë kanë bllokuar përkohësisht segmentin kryesor, si formë reagimi ndaj indiferencës që, sipas tyre, po zvarrit zgjidhjen e këtij problemi të kahershëm.

“Nuk mund të pranojmë që kjo rrugë të mbetet në këtë gjendje. Prej 35 vitesh nuk është bërë asnjë investim serioz. Kërkojmë që shteti të na trajtojë me dinjitet, jo të na kujtohet vetëm në fushata”, deklaruan banorët.

Kjo është hera e dytë që banorët protestojnë për të njëjtën çështje, pasi edhe më parë kanë denoncuar publikisht se ndërtimi i kësaj rruge ishte premtuar gjatë fushatës elektorale, por më pas është lënë në harresë. Mungesa e asfaltimit e ka bërë të vështirë lëvizjen në zonë, sidomos në periudha me reshje, duke izoluar fshatrat dhe penguar aksesin në shërbime bazë.

Banorët i kanë bërë thirrje deputetëve të qarkut që të mos shfaqen vetëm gjatë fushatave me premtime boshe, por të mbajnë përgjegjësi për fjalët e dhëna. Ata kërkojnë që investimi për rrugën të nisë sa më parë, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat nëse kërkesat e tyre do të injorohen përsëri.

The post Banorët e gjashtë fshatrave në Vlorë protestë: Premtimet elektorale i kanë harruar appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: