Fundi i aventurës së Milinkovic te Partizani: klubi e shkarkon, por duhet ta paguajë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Mladen Milinkovic nuk do të jetë më në stolin e Partizanit. Pas humbjes së rëndë në derbin ndaj Tiranës, drejtuesit e klubit të kuq kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me trajnerin serb, duke mbyllur një periudhë të shkurtër por të pasuksesshme në krye të ekipit.

Rezultatet që sollën shkarkimin

Bilanci i Partizanit pas gjashtë javësh kampionat është shumë larg pritshmërive: vetëm katër pikë dhe vendi i parafundit në renditje. Ky start i dobët, i shoqëruar me performancën zhgënjyese në derbi, ka bindur klubin se duhej një ndryshim urgjent. Ish-trajneri i Luftëtarit dhe Kukësit nuk arriti të përsëriste sukseset e dikurshme, ndërsa mungesa e identitetit të lojës dhe mungesa e reagimit në momentet vendimtare e vulosën fatin e tij.

Deklarata zyrtare e klubit

“Klubi i Futbollit Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Mladen Milinković. Pas analizës së bërë mbi paraqitjet dhe rezultatet e skuadrës në këto 6 javë të kampionatit, është marrë vendimi për ta liruar nga detyra trajnerin dhe dy ndihmësit e tij”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit kryeqytetas.

Milinkovic

Largohen edhe ndihmësit

Së bashku me Milinkovic, janë shkarkuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij më të afërt: djali i tij, Slobodan Milinkovic, dhe Nikola Stankovic. As prania e stafit të tij personal nuk arriti të përmirësonte ecurinë e ekipit, që nuk gjeti kurrë stabilitet apo efikasitet në fazën sulmuese dhe mbrojtëse.

Lexo më tej: “Do flas me drejtuesit”: Milinkovic gati dorëheqjen, Bordin euforik: “E stërmerituam”

Kontata e rëndë

Çështja nuk është kaq e thjeshtë sepse shkarkimi i Milinkovic ka edhe pasoja financiare e të rënda madje. Kontrata e stafit serb të të kuqve është 9 mijë euro në muaj e ndarë në 5 për trajnerin, e 4 për dy ndihmësit. Praktikisht janë edhe 9 muaj deri në qershor 2026 dhe një total prej 81 mijë euro për ti paguar Milinkovi e ndihmësve të tij. Natyrisht klubi do të kërkojë një dalje të mirë, por kjo është edhe në varësi të mirëkuptimit të treshes serbe.

Zgjidhja e përkohshme: Oltion Kërnaja

Në pritje të emërimit të trajnerit të ri, drejtimin e skuadrës do ta marrë përkohësisht Oltion Kërnaja, trajneri i Partizanit B. Kërnaja, që ka qenë pjesë e stafit të Milinkoviçit këtë sezon, do të udhëheqë ekipin e parë në ndeshjet e ardhshme, duke garantuar vijimësinë dhe njohjen me grupin.

Një tjetër krizë në “Demat e Kuq”

Shkarkimi i Milinkovic është goditja e dytë e madhe për Partizanin brenda pak ditësh, pas largimit të drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj. Klubi i kuq përballet me një krizë të thellë rezultatesh dhe identiteti, ndërsa tifozeria kërkon reagim të menjëhershëm për të mos rrezikuar një tjetër sezon zhgënjyes.

The post Fundi i aventurës së Milinkovic te Partizani: klubi e shkarkon, por duhet ta paguajë appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: