Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Nën masa të rrepta dhe një perimetër të gjerë sigurie, ekspertë të specializuar kanë mbërritur në Porto Romano të Durrësit për të marrë mostrat e mbetjeve të dyshuara toksike, të depozituara prej një viti në këtë zonë industriale të Durrësit.
Procesi po zhvillohet me kujdes maksimal, pasi dyshohet se për shkak të qëndrimit të gjatë, mbetjet mund të jenë ngurtësuar, duke e bërë marrjen e kampionëve më të ndërlikuar.
Mostrat e marra do të dërgohen për analiza të detajuara në një laborator të specializuar në Itali, me qëllim përcaktimin e përbërjes dhe nivelit të mundshëm të toksicitetit.
Këto mbetje, që arrijnë në rreth 2100 tonë, janë në 102 konteinerët e sekuestruar me urdhër të Prokurorisë të kompanisë “KURUM”, pas kthimit të tyre në Portin e Durrësit.
Kontejnerët janë magazinuar në venddepozitimin e Porto Romanos, në afërsi të “EkoParkut”.
Rasti është denoncuar fillimisht nga rrjeti Bazel, që ngriti dyshime se brenda kontejnerëve mund të ndodhen mbetje të rrezikshme të ardhura nga jashtë vendit.
Kontejnerët u kthyen në portin e Durrësit në fund të tetorit dhe, pas rreth dhjetë ditësh qëndrimi në radhë, u zhvendosën në zonën e Porto Romanos, ku ndodhen nën mbikëqyrje të rreptë policore dhe monitorim 24-orësh me kamera sigurie.
The post Do dërgohen në Itali, nis marrja e mostrave nga mbetjet toksike në Porto Romano appeared first on GIJOTINA.
