Valbona e Klosit, dhuratë 360 MLN lekë Anduenës së Elbasanit, fondi për shtëpitë e familjeve të varfra

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Valbona Kola, kryetarja e Bashkisë Klos, ia beson kompanisë së Nazif Bajramit rregullimin e shtëpive të familjeve të varfra. Tenderi i zhvilluar për këtë qëllim, jo vetëm që rezulton korruptiv, por firma “Bajrami N” shpk është nën hetim nga SPAK për pastrim të parave të krimit dhe po ashtu e skeduar në shumë raste nga KLSH për mashtrim me faturat dhe stuacionet e punimeve publike.

Kuptohet se Nazifi ia ka gjetur anën Valbonës, sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe trajtimi i kompanive pjesëmarrëse në këtë tender, ku favorizohet haptazi “Bajrami N” shpk.

“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues pervec fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e përshkruan tenderin Open Data Albania. Procedura është qendrisur me një “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.

Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Klos me objekt “Përmirësimi i banesave për komunitete të varfëra dhe të pa favorizuara”. Nuk e dimë listën e familjeve përfituese, as nevojat e secilës shtëpi ku do të ndërhyhet, por është përllogaritur një fond limit 36 497 894,00 lekë pa TVSH.

Nazif Bajrami fiton me ofertën sa fondi limit

Data e mbajtjes së tenderit ishte më 27 gusht 2025, ku morën pjesë 4 operatorë konkurrues.

Por tenderi ishte i paracaktuar për “BAJRAMI N” SHPK dhe pjesëmarrja e tyre u bë e padobishme nga veprimet e komisionit të Valbonës.

Më 30 shtator 2025, Valbona Kola shpalli fituese kompaninë e Nazif bajramit e cila bëri ofertën 35 598 560,00 lekë pa TVSH. Duhet të jesh shumë i sigurt se do të fitosh, ose pazari ka mbaruar para nisjes së tenderit, që të bësh ofertë të tillë gati sa fondi limit!

Rasti është tregues i shpërdorimit të buxhetit për të kënaqur klientët e pushtetit. Kjo ofertë ishte më e larta, ndërkohë që nuk u morën në konsideratë operatorët e tjerë me propozime më ekonomike.

Ky veprim nuk përputhet me kriterin bazë të vlerësimit, sipas dokumenteve të shpallura në APP, ku nënvizohet “oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim”.

Konkretisht Bashkimi Operatorëve Ekonomik “2 L&M” Sh.p.k, & “Liqeni VII” Sh.p.k, me kishte ofertë më të ulët: 31,258,844.20 lekë pa TVSH.

Po ashtu, Bashkimi Operatorëve Ekonomik “DRINI-1” Sh.p.k, & “NDREGJONI” Sh.p.k, pfronte ta bëntë këtë punë me 33,533,064.28 lekë pa TVSH.

Kush është Nazif Bajrami?

Nazif Bajrami njihet për përfitimin e disa tenderave me risk të lartë dhe qëllime korruptive. Kompania e Nazif Bajramit është kapur në mashtrime me volumin e punimeve në bashkinë Elbasan. Ndërsa në një raport të EUROPOL dhe SHISH evidentohet biznesmeni Nazif Bajrami dhe gruaja e tij Anduena Bajrami (Prifti), se qysh prej muajit nëntor 2017, janë me dosje penale ende në proces hetimi nga Prokuroria e Përgjithshme, skeduar për 70 milionë Euro pasuri bankare e fizike, të siguruar nga biznese dhe aktivitete korruptive dhe në bashkëveprim me grupe kriminale. Bashkëshortja e biznesmenit, Anduena, ka mbajtur për një kohë të gjatë postin e nënkryetares së Bashkisë Elbasan, duke i siguruar firmës familjare ndikimin për të fituar tenderat.

Në dhjetor të vitit 2020, një shkresë e Interpol Tirana, informonte Departamentin e Policisë Kriminale mbi të dhënat e Interpol Bernës për aktivitetin e dyshimtë të Nazif Bajramit, biznesmen të njohur në Elbasan.

Informacioni i referohet vitit 2019 e në vazhdim, ku zviceranët e konsiderojnë biznesmenin 55-vjeçar si një person të skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

Më 11 prill 2025, një skuadër e BKH ka ushtruar dje kontrolle në ambientet e biznesmenëve Nafiz Bajrami dhe Mariglen Çoku si dhe të drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan, Luan Tabaku, për gjetjen e provave të implikimit në afera korruptive dhe veprimtari kriminale. Nisur nga komunikimet në SkyEcc, dyshohet se këta persona kanë lidhje me organizata kriminale.

Në panik e sipër nga hetimi i SPAK, për të evituar pasojat direkte mbi kompaninë, Nazif Bajrami ia dhuroi pronësinë bashkëshortes më 2 shtator 2024.

Sipas këtij dokumenti, Nazif Bajrami ia kaloi 100% të kuotave bashkëshortes Anduena Bajrami (Prifti).

Megjithatë pazaret e tenderave vazhdojnë. Më 15 shtator 2024, Bajrami është favorizuar nga OPB që është në varësinë direkte të Blendi Gonxhes, për kontratën me objekt “Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Gjirokastër”, për të cilin ishin vënë në dispozicion  5.1 milion euro.

Sigurisht që edhe ky tender është dhënë me “Flamur të kuq”, që tregon se ka shkelje ligjore.

©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

The post Valbona e Klosit, dhuratë 360 MLN lekë Anduenës së Elbasanit, fondi për shtëpitë e familjeve të varfra appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: