Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Kryeministri Edi Rama ka ftuar në episodin më të fundit të podkastit të tij “Flasim” ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala, ku përveç prezantimit të saj si profesioniste me eksperiencë ndërkombëtare, nuk munguan as komentet me ironi për zotërimin e saj të gjuhës shqipe.
Në hapje të bisedës, Rama e prezantoi Salën si një profesioniste të shquar me gati 30 vite karrierë në mjekësi jashtë vendit:
“Karriera jote është shumë e gjatë, si fjalimet e mia,” tha ai me buzëqeshje.
Por pavarësisht vlerësimeve, Rama nuk ngurroi të ngacmonte me humor ministren për shqipen e saj, duke i thënë:
“Duhet të bësh stërvitje me shqipen këtë periudhë”, një koment që u prit si shaka, por që theksoi sfidën e ministres së re në përballjen me publikun shqiptar në një rol të rëndësishëm institucional.
Vetë ministrja Sala u shpreh se ndonëse ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës jashtë vendit, është gati për sfidën në drejtimin e shëndetësisë shqiptare:
“Përvoja më ka mësuar të përballem me sfida të mëdha dhe të jap rezultate konkrete,” u shpreh ajo.
Duket se Kryeministri ka në plan të mbajë nën vëzhgim publik jo vetëm punën, por edhe shprehjet në shqip të ministres së re – një kombinim tipik i stilit të tij ironik dhe pritshmërive të larta ndaj bashkëpunëtorëve të kabinetit.
The post “Ministrja Sala prezanton vizionin për shëndetësinë, Rama sugjeron ‘terapi intensive’ për gjuhën shqipe” appeared first on GIJOTINA.
