Transportonin lëndë narkotike dhe armë të ftohtë, arrestohen të rinj në Lezhë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Tre të rinj janë arrestuar dhe një i mitur është vënë nën hetim në Lezhë, pasi u kapën duke transportuar lëndë narkotike dhe armë të ftohtë, si dhe tentuan t’i shmangen kontrollit të policisë.

Sipas njoftimit të bluve, Marsel Margjoni, Henri Ismaili dhe Pietro Gega u ndaluan nga policia në aksin “Shëngjin-Kune”, teksa udhëtonin me një automjet tip “Benz”. Pas ndjekjes disa minutëshe, mjeti u ndalua dhe gjatë kontrollit u gjetën sasi të dyshuara kokaine dhe kanabisi, si dhe një thikë.

Policia bëri gjithashtu të ditur se gjatë kontrollit në banesën e Pietro Gegës, 26 vjeç, me precedent penal në fushën e narkotikëve, u sekuestruan 60 fishekë pistolete. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“U arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 19 vjeç, H. I., 18 vjeç, dhe P. G., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjin. U procedua penalisht 17-vjeçari, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit nga Policia. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme,” njofton policia.

The post Transportonin lëndë narkotike dhe armë të ftohtë, arrestohen të rinj në Lezhë appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: