Sllovenia, “frikë” nga shqiptarët/ Federata vendos kufizime për sfidën e nëntorit kundër Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Nuk do të jetë kjo atmosferë. Tifozët e Kosovës do të kenë kufizime përsa i përket simboleve shqiptare dhe të shtetit të tyre, në ndeshjen ndaj Sllovenisë në 15 nëntor.

Siç njoftojnë mediat nga Ljubljana, Federata Sllovene e Futbollit ka vendosur që flamujt kombëtarë shqiptare, flamujt e Kosovës dhe fanelat do të lejohen vetëm në tribunën e përcaktuar për tifozët miq. Në të gjitha tribunat e tjera të stadiumit do të lejohen vetëm simbolet sllovene.

Në Slloveni jeton një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, të cilët do të duan të mbështesin ekipin e zemrës, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e kaluar në Suedi, ku spikatën simbolet kombëtare shqiptare dhe një flamur i madh kuqezi.
Po ashtu, media serbe, “b92” shkruan se sllovenët nuk duan përsëritjen e atij që njihet si “skenari serb”, pasi në ndeshjen e vitit 2022 në Ljubljanë, stadiumi ishte I mbushur me flamuj të Serbisë.

Ishte një sfidë e Ligës së Kombeve dhe tifozët miq kishin blerë një numër të madh biletash dhe prania e tyre u ndje, ashtu si ajo e shqiptarëve të Kosovës në Goteborg.

Ndërkaq, Federata Sllovene e Futbollit njofton se të gjitha biletat janë shitur dhe se stadiumi do të jetë plot. Kosova mban vendin e dytë në grupin eliminator B, me 7 pikë në 4 ndeshje, ndërsa Sllovenia ka vetëm tri pikë me të njëjtin numër përballjesh.

Në rast barazimi, “dardanët” do të kualifikoheshin për në plej ofin e Kupës së Botës për herë të parë, dhe ndaj shumë shqiptarë nga Kosova do të donin të ishin në stadiumin “Stozhice” për ta përjetuar nga afër ndeshjen historike.

The post Sllovenia, “frikë” nga shqiptarët/ Federata vendos kufizime për sfidën e nëntorit kundër Kosovës appeared first on www.lexo.al.

Shpërndaje: