Elbasani, fitore mes polemikash: dy të përjshtuar e VAR, Bylis bie në “Elbasan Arena”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Pas tre ndeshjeve pa fitore, Elbasani më në fund ka gjetur dritën në fund të tunelit, duke mposhtur Bylis me rezultatin 2-1 në një sfidë të mbushur me emocione, tension dhe vendime të diskutueshme arbitrale. Takimi i zhvilluar në “Elbasan Arena” shënoi kthesën e shumëkërkuar për skuadrën e drejtuar nga Ivan Gvozdenović, e cila e nisi ndeshjen me etje për rezultat dhe qasje agresive ndaj kundërshtarit.

Ndeshja në “Elbasan Arena” nuk ishte thjesht një duel për tri pikë, por një test karakteri për të dy ekipet. Elbasani tregoi reagim dhe vendosmëri për t’u rikthyer në rrugën e duhur, ndërsa Bylisi u dënua nga mungesa e qetësisë dhe gabimet individuale. VAR-i, kartonët e kuq dhe emocionet e forta e bënë këtë sfidë një nga më të diskutuara të javës në Superiore.

Fillimi me avantazh dhe ndihma e VAR

Dominimi i vendasve u konkretizua pas vetëm 25 minutash lojë. Një ndërhyrje e ashpër e Bruno ndaj Tsague u rishikua në monitorin e VAR nga arbitri Dorjan Maletaj, i cili vendosi për karton të kuq ndaj mbrojtësit të Bylis. Me një lojtar më shumë në fushë, Elbasani mori kontrollin e plotë të lojës dhe një minutë më vonë gjeti avantazhin me një goditje dënimi perfekte të Diallo.

Ky moment u pasua nga rritja e presionit ndaj miqve, që nuk arritën të gjenin ekuilibrin e duhur në mbrojtje. Në minutën e 38′, përsëri Diallo u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke dyfishuar shifrat pas një faulli të panevojshëm të Përndrecës në zonë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 dhe me ndjesinë se ndeshja mund të merrte përmasa të rënda për Bylisin.

Reagimi i Bylis dhe tensioni në fund

Në pjesën e dytë, skuadra e trajnerit Mirel Josa tregoi karakter dhe reagoi. Kapiteni Marku, me një goditje të saktë me kokë në minutën e 50′, ngushtoi diferencën dhe ringjalli shpresat për ballshiotët. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për të barazuar, Bylisi nuk arriti të shfrytëzonte momentin e mirë.

Lexo më tej: Dinamo mposht Vorën mes polemikave: Bellai nervoz, Bregu vulos me penallti

Tensioni u rikthye në minutat e fundit të ndeshjes, kur Ibrahim Abas i Elbasanit u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rrezikshme. Edhe ky vendim u konfirmua pas ndërhyrjes së sistemit VAR, duke e lënë skuadrën vendase me dhjetë lojtarë për minutat e mbetura.

Analiza dhe situata në renditje

Pavarësisht vështirësive në fund, Elbasani arriti të ruajë avantazhin dhe të marrë tre pikë me peshë të madhe, që e nxjerrin përkohësisht nga kriza e rezultateve. Me këtë fitore, verdheblutë ngjiten në kuotën e 14 pikëve pas 8 javësh, duke rikthyer qetësinë në ambientin e skuadrës.

Në anën tjetër, Bylisi mbetet në “zonën e ftohtë” të tabelës, me vetëm 6 pikë, dhe me shumë çështje për të rregulluar, veçanërisht në aspektin disiplinor dhe menaxhimin e presionit gjatë ndeshjeve të vështira.

 

 

 

The post Elbasani, fitore mes polemikash: dy të përjshtuar e VAR, Bylis bie në “Elbasan Arena” appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: