Dinamo reziston me 10 lojtarë ndaj Teutës, Daja shpërthen: “S’po flet me shokun tënd”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Dinamo nuk humbet përsëri, por nuk fiton dhe nuk përfiton për të vënë nën presion kryesuesit. 0-0 përfundon sfida në Elbasan Arena kundër Teutës. Një tjetër karton i kuq, i pesti në 10 ndeshje, vështirësoi punën e Ilir Dajës, që megjithatë mori një pikë që e la krejt të pakënaqur.

Dinamovitët janë shfaqur më kërkues para porte, por nuk ia ka dalë të dënojnë formacionin mik. Ka qenë një ndeshje e luftuar në çdo cep të fushës dhe shpesh me lojë të ashpër, por me pak raste në të dy portat. Në pjesën e dytë ekipi i Ilir Dajës u “penalizua” nga kartoni i kuq i Maliqit, për të verdhën e dytë. Ndonëse Teuta ishte për më shumë se 30 minuta në fushë me një lojtar më shumë, përfshirë edhe shtesën, nuk pati efikasitetin dhe freskinë e duhur për të ndëshkuar dinamovitët.

E ndërsa rastet mungonin, nuk kanë munguar polemikat dhe kontestimet ndaj gjyqtarit Klodian Prenga. Ishin dinamovitët që kontestuan vazhdimisht mungesën e kartonëve të verdhë për ndërhyrjet e kundërshtarëve, ashtu si edhe të kuqin që dha për Maliqin.

Lexo më tej: Gafe e Dembele e autogol i Vera: Tirana “mbyt” veten, Nuhiu e katranos ndaj Bylis

Për këtë arsye Daja shpërtheu në akuza pas ndeshjes, duke u kapur edhe me moviolistin e emisionit Supergol, Klajdi Kola: “Mund të shkonte edhe më mirë edhe më keq. Keni parë ndonjëherë agresivitet nga Dinamo? Janë 5 kartona të kuq! Ne jemi ekipi më i dënuar më shumë. Për kartonat kam rezervë. Barazimi, rezultati më i drejtë. Pjesë e kartonave duhte ta shikojmë me shumë seriozitet. Të marrim 5 kartona të kuq në 10 javë është shumë. Nëse po flasim për sot, dy faulla në mesfushë, të dalësh nga loja me të kuqe… Maliqi nuk e mori veten pas kartonit të verdhë që në minutat e para. Po e pa Klajdi Kola, pastaj… Mos ma ngri zërin ti! Ti 3 ndeshje ke arbitruar dhe më bën ti mua. Ma hiqni fare atë! Nuk dua të më ndërhyjë ai.

Një barazim që i shkon më shumë përshtat Teutës, ndërsa Dinamo lë pikë në garën për titullin. Të besuarit e Ilir Dajës mbajnë përkohësisht vendin e 3-të, 18 pikë, 2 më pak se Elbasani që tashmë kryeson, edhe pse Vllaznia zbret nesër në fushë dhe mund të rritet diferenca. Nga krahun tjetër, grupi i Enkeleid Dobit qendron në mes të tabelës me 15 pikë. “Nuk ishte dita jonë më e mirë. E kishim përgatitur ndryshe ndeshjen. Duhet ti japim edhe meritat Dinamos. Pashë një ekip të balancuar, që ka ekuilibër, ndërsa ne jemi më modestë. Prisja më shumë nga ekipi, nuk funksiojnë ashtu siç duhet. Ndeshje për 0 – 0. Ndoshta pas kartonit të kuq të rivalit duhet të bënim më shumë”.

The post Dinamo reziston me 10 lojtarë ndaj Teutës, Daja shpërthen: “S’po flet me shokun tënd” appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: