Depo armësh dhe bazë droge, arrestohen tre persona nga një familje në Gjirokastër

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një familje e përfshirë në aktivitet kriminal të armëve dhe drogës, kreu i të cilës ishte i skeduar për precedentë penalë në këto fusha, u zbulua pas hetimeve me metoda proaktive dhe përgjime në Gjirokastër.

Policia zbuloi në lagjen “Zinxhira” të qytetit dhe më pas në Bënçë të Tepelenës dy bazat e grupit, ndërsa në pranga ranë 3 persona dhe 2 u shpallën në kërkim.

Të arrestuarit janë babai 57-vjeçar dhe djali i tij 14-vjeçar si dhe një person i tretë. Në kërkim u shpallën dy kushërinj, djali dhe nipi i 57-vjeçarit.

Si prova materiale u sekuestruan 3 armë zjarri, 1 armë gjahu, 1 armë e ftohtë bajonetë, municion luftarak, një sasi heroine, 300 fara kanabisi dhe një shumë parash (euro e lekë).

gjirokaster operacion2

Njoftimi i policise

Si rezultat i një hetimi që u ndoq për disa javë, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për të dokumentuar veprimtaritë kriminale të disa shtetasve, në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional, me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, finalizuan operacionin “Interruption”.

Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua shtetasi Ç. B., 57 vjeç (me precedent për trafikim të lëndëve narkotike), u arrestua djali i tij 14 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i tij, shtetasi E. B., 19 vjeç, pasi në banesën e tyre, në lagjen “Zinxhira”, u gjetën: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu dhe municion luftarak;

-u shpall në kërkim shtetasi A. B., 25 vjeç (djali i vëllait të 57-vjeçarit), pasi në banesën e tij, në lagjen “Zinxhira”, u gjetën: 1 bajonetë, 300 fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike Heroinë, municione luftarak, 10 000 euro dhe 100 000 lekë;

-u arrestua shtetasi A. S., 21 vjeç, pasi në banesën e tij, në fshatin Bënçë, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, E. B. dhe A. B. (kushërinj).

The post Depo armësh dhe bazë droge, arrestohen tre persona nga një familje në Gjirokastër appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: