Cirk në SHBA/ Republikanët duan të deportojnë kryebashkiakun mysliman të Nju Jorkut

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Pas fitores historike të Zohran Mamdani në zgjedhjet për kryebashkiak të Nju Jorkut, duke u bërë i pari mysliman dhe i pari kryebashkiak me origjinë nga Azia e Jugut, disa përfaqësues republikanë në Uashington janë zotuar se do të përpiqen ta pengojnë të marrë detyrën.

Presidenti Donald Trump kishte kërcënuar më herët se do të pezullonte fondet federale për Nju Jorkun nëse Mamdani fitonte, duke përhapur më pas akuza të rreme për shtetësinë e tij dhe duke e quajtur 34-vjeçarin me origjinë nga Uganda “komunist”.

Dy kongresmenë republikanë, Andy Ogles dhe Randy Fine, kanë kërkuar hetim ndaj procesit të natyralizimit të Mamdanit dhe madje heqjen e shtetësisë amerikane për ta deportuar. Ata e akuzojnë, pa prova, për “mbështetje të komunizmit dhe terrorizmit”. 

Ogles i dërgoi një kërkesë zyrtare Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi për të nisur procedurat e denatyralizimit.

Sipas tyre, Mamdani duhet të kishte deklaruar anëtarësinë në Democratic Socialists of America (DSA), të cilën republikanët e cilësojnë si “organizatë komuniste”. Por ekspertët sqarojnë se DSA nuk është parti komuniste, dhe anëtarësia në të nuk përbën shkelje të ligjit për shtetësinë.

Në fakt, PolitiFact verifikoi se Mamdani jeton në SHBA që prej vitit 1998 dhe është qytetar amerikan që nga viti 2018. Nuk ekziston asnjë provë që ai ka mashtruar në procesin e natyralizimit.

Juristi Jeremy McKinney theksoi se denatyralizimi kërkon prova “të qarta dhe bindëse” se një gënjeshtër do të kishte ndryshuar rezultatin e procesit, gjë që mungon plotësisht në këtë rast.

Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) e ka cilësuar këtë fushatë si raciste dhe islamofobike, ndërsa Mamdani vetë deklaroi për MSNBC:

“Islamofobia është bërë pjesë e zakonshme e politikës amerikane. Kemi ardhur në një pikë ku të flasësh për të shihet si problem, ndërsa heshtja konsiderohet normale.”

Ndërkohë, Klubi i të Rinjve Republikanë të Nju Jorkut po kërkon që Mamdani të shpallet i papërshtatshëm për detyrë sipas Amendamentit të 14-të, duke pretenduar se ka “dhënë mbështetje për armiqtë e SHBA-së” për shkak të qëndrimeve të tij pro-palestineze. Por juristët sqarojnë se kjo dispozitë vlen vetëm për rebelime apo armiqësi gjatë lufte, jo për opinione politike.

Ekspertët ligjorë e quajnë “thuajse të pamundur” çdo përpjekje për ta hequr Mamdanin nga posti.

Denatyralizimi është një proces ekstrem dhe shumë i rrallë, që kërkon vendim gjyqësor dhe prova të forta për mashtrim, zakonisht i përdorur vetëm ndaj ish-nazistëve apo personave të lidhur me terrorizëm të vërtetuar.

Sipas profesoreshës Cassandra Burke Robertson, çdo veprim ndaj Mamdanit do të kishte më shumë efekt “frikësues ndaj qytetarëve të zakonshëm” sesa bazë ligjore.

Në përfundim, akuzat kundër Zohran Mamdanit duken si një përpjekje politike e mbushur me tone islamofobike, ndërsa ekspertët ligjorë thonë se nuk ka asnjë bazë ligjore që ai të mos marrë detyrën si kryebashkiak i Nju Jorkut.

Përshtatur nga Al Jazeera, ©LAPSI.AL 

The post Cirk në SHBA/ Republikanët duan të deportojnë kryebashkiakun mysliman të Nju Jorkut appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: