Breshëritë e plumbave i marrin jetën Gilmando Danit, krahut të djathtë të Shullazit

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Gilmando Dani, një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve kriminale në Tiranë dhe Durrës është ekzekutuar me breshëri automatiku në rrugën pranë Rinasit.

Dyshimet janë se Gilmando Dani dhe miku i tij me inicialet Muçi Shaljani alias Sheqeri po ndiqeshin nga autorët e krimit dhe në momentin që mjeti ngadalësoi lëvizjen për shkak të trafikut, autorët e krimit kanë qëlluar me breshëri duke lënë të vdekur Gilmando Danin. Ndërkohë miku i tij, Muçi Shaljani ka marrë disa plumba, por ka mundur të mbijetojë dhe është transportuar me urgjencë tek Trauma.

Makina e viktimës pak minuta pas atentatit
Makina e viktimës pak minuta pas atentatit

Në pamjet e filmuara me celular, duken qytetarë të rastit që janë afruar në makinën e bardhë tip Mercedes Benz ku ishte viktima dhe janë përpjekur të hapin xhamin duke e thyer me leva. Aty shihen momentet e para pas breshërive të plumbave, kur Gilmando Dani ka qenë në momentet e fundit të jetës. Pamjet më poshtë:

 

Gilmando Dani është dënuar në vitin 2018 si pjesë e bandës së Shullazit, që u godit pas kërcënimeve të rektorit Mynyr Koni. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor për përvetësim pasurie, kërcënim, e grup të strukturuar kriminal Emiliano Shullazin, i cili u dënua me 14 vjet burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, por për shkak të uljes së dënimit lëvizte i lirë.

Përfshirja e Gilmando Danit në ngjarjet kriminale

Ndonëse nuk ka mbi supe akuza të rënda nga policia,  Gilmando Dani është konsideruar gjithnjë si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin.

Duke qenë gjithnjë “nën hundën” e policisë, Dani është kontrolluar shpesh për vepra të rënda penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti, policia kreu kontrolle edhe në banesën e Gilmando Danit, i njohur për afërsinë që kishte me Dritan Dajtin.

Kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se 33-vjeçari ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.

Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit.

Po kështu, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin.

Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe Dritan Haten, gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi pesë vjet më parë një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.

Gilmando Dani ka marrë pjesë në disa episode kriminale për të cilat është përmendur banda e Shullazit si ajo në gjobëvënien e biznesmenit Ylvi Beqja për hotelin në Durrës dhe kërcënimin e ish-rektorit Mynyr Koni për zgjedhjet në universitet.

Gjatë kohës që ishte i lirë, Shullazi bashkëpunoi me socialistët e Tiranës, ndërsa dërgoi mesazhe kërcënimi edhe për ish-kreun e Partisë Demokratike Lulzim Bashën.

The post Breshëritë e plumbave i marrin jetën Gilmando Danit, krahut të djathtë të Shullazit appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: