Memli Krasniqi rrëfen prapaskenat e dorëheqjes nga PDK-ja

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kryetari i dorëhequr i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se nuk e ka menduar kurrë se do të kishte bërë një rrugëtim të tillë politik. Në një intervistë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosova, ai ka folur për arsyet që e çuan në largimin e tij nga drejtimi i partisë. Ai tha se shumë më e vështirë ishte dita e parë kur mori drejtimin e partisë, sesa dita kur hoqi dorë nga ajo.

“Dita më e vështirë ka qenë në ditën kur jam zgjedh kryetar. Ka qenë një nder i madh, besim i jashtëzakonshëm. Pikërisht se ishte në një moment, kur tani më vjen keq ta them, por ju e dini të gjithë, ka pasur njëfarë gjysmë shkapërderdhje brenda subjektit tonë, një mungesë të besimit të madh.

Kishim rezultat shumë të ulët në zgjedhjet parlamentare të 2021, kishim vetëm 5 komuna që udhëhiqnim nga viti 2017, kishim përpara zgjedhjet lokale, dhe mua më duhej t’i zgjidhja kryetarët për rreth 1 muaj prej kur e mora detyrën. Më duhej brenda një muaji të propozoja dhe zgjidhja një kryesi të re, dhe t’i jap një drejtim dhe vizion PDK-së”, – tha Krasniqi.

“Jo se ka qenë e lehtë kjo e sotmja, sepse e thashë se ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time. Aspak, apo me ndonjë situatë zhgënjimi, përkundrazi. Kjo thjesht ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë, më shumë se një vit, sepse unë e kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm, që PDK të rikthehet si faktor kryesor politik” – tha ai.

Ai tha se pati dëshirë që të bëhej një qeveri e ish-partive opozitare, por kjo nuk ndodhi.

“Pra, ishte një angazhim për ta kthyer PDK si forcën e paevitueshme politike, gjë që është evidente tani, dhe po ashtu për të rikthyer besimin e votuesve tanë tradicionalë dhe qytetarëve përtej nesh. Dhe kjo ka ndodhur. Por, objektivi im ka qenë që Bedri Hamza të jetë kryeministër i Kosovës.

Megjithatë, ne për pak nuk e arritëm këtë gjë, nuk arritëm të bindim partitë e ish-opozitës të bashkohemi në një qeveri, përkundër që formalisht i kishim numrat. Në rast se kjo do të ndodhte, do t’i shpallja zgjedhjet e brendshme brenda partisë, i përmbushur, dhe nuk do të konkurroja për një mandat të ri”, – u shpreh Krasniqi.

“Unë nuk e kam pasur kurrë ndonjëherë ambicien e të qenit kryeministër. Kush më njeh e di. Unë pushtetin për vete nuk e kam kërkuar asnjëherë, as pozicionin e kryetarit të PDK-së s’e kam kërkuar asnjëherë” – tha ai.

Krasniqi u pyet edhe nëse për vendimin e dorëheqjes kishte njoftuar edhe ish-kryetarët e PDK-së, që tashmë janë në Hagë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

“Ata janë njoftuar sot, edhe përmes mediave. Sot ka pasur një seancë gjyqësore. Ka dëshmuar ish-ambasadori Hill. Por, disa nga miqtë e kolegët tanë që janë pjesë e ekipeve mbrojtëse, kanë pasur mundësi t’i njoftojnë nëpër pauza”, – tha Krasniqi.

Ai dha edhe preferencën e tij për kryetarin e ardhshëm të PDK-së.

“Prej nesër e deri të hënën, kandidaturat janë të hapura, secili që i plotëson kriteret statutore ka të drejtë të garojë, por preferencë e imja është zoti Bedri Hamza”, u shpreh Krasniqi.

Ai shton se përderisa ish-kryetarit të komunës së Mitrovicës i kishte besuar për të udhëhequr vendin, i beson edhe për drejtimin e PDK-së. Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, dhe më parë ka mbajtur poste ministrore në qeveritë e Kosovës. ©LAPSI.al 

The post Memli Krasniqi rrëfen prapaskenat e dorëheqjes nga PDK-ja appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: