(VIDEO) Minuta e fundit e Gilmando Danit në filmimet e kamerave të sigurisë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një “Mercedes-Benz” që lëviz ngadalë i devijuar në rrethrrotullimi dhe befas frenon duke bllokuar rrugën. Pas disa sekondash pritje, afrohet ngadalë një mjet Tip Toyota. Nga aty zbret një person i armatosur që lëviz me nxitim. Ka veshur kapuç dhe jelek që përngjan si kamuflazh, ndërsa në duar mban një armë. Ndalon për një moment për të mbushur armën dhe pasi afrohet në anën e majtë të Mercedesit të bardhë, lëshon një breshëri plumbash në drejtim të pasagjerit. Janë pamjet filmike që publikoi më së pari Shteg.org. Në vendin e pasagjerit është ulur Gilmando Dani, i cili ndërron jetë në vend. Pasi ka qëlluar për siguri mbi trupin e Gilmando Danit, atentatori largohet bashkë me makinën tip Toyota.

 

Pamjet tregojnë se ngjarja zgjati më pak se një minutë. Sapo u qëllua, mjetet e tjera lëvizin me shpëjtësi, kalimtarë nxitojnë të fshihen ndërsa makina “Toyota” u drejtua menjëherë nga rruga e kryqëzimit drejt Fushë Krujës, ku më pas u dogj. Raportimet e deritanishme flasin për rrugën nga zonën e Niklës drejt Rinasit me energji elektrike të ndërprerë, ç’ka nënkupton për një përgatitje të profesionistëve në përgatitjen e atentatit. Kamera e sigurisë tregon se një delegacion i huaj kalon në momentet pas vrasjes pranë makinës me dy viktima, ndërkohë që nuk është filmuar momenti i parë i breshërive të plumbave që shkaktoi devijimin e makinës.

Kush ishte Gilmando Dani

Gilmando Dani
Gilmando Dani

47 vjeç, emri i Gilmando Danit kishte përfunduar në dosjet e drejtësisë prej kohësh, ai cilësohej si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazi, një prej personazheve më të përfolur të krimit të organizuar në vend.  Precedenti i tij më i hershëm daton në 11 shkurt 2006, kur u arrestua nga forcat e specializuara për “mbajtje pa leje të armëve” dhe “kanosje në bashkëpunim”.  Në vitin 2018, Dani u dënua me 12 vite burg si pjesë e grupit të Shullazit për veprën “gjobëvënie dhe krijim grupi të strukturuar kriminal”.  Sipas burimeve, ai kishte marrë lirim me kusht më 2023 pasi kreu 3/4 e dënimit.  Ai sapo kishte mbërritur në Shqipëri pas një qëndrimi në Spanjë bashkë me mikun e tij Muçi Shaljani.

Përfshirja e agjentit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Muçi Shaljani
Muçi Shaljani

Në sediljen drejtuesit udhëtonte mikut i Danit, Muçi Shaljani alias “Sheqeri”, punonjës i AMP-së prej vetëm tre muajsh sipas të dhënave që qarkullojnë në media.  Hetimet çojnë drejt hipotezës se Shaljani duke shfrytëzuar lehtësirat si agjent i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore shërbente në rrjetin e Danit dhe të Shullazit. Gjendja e tij mbetet kritike, pasi nga breshëritë ka marrë dy plumba në kokë dhe disa të tjerë në trup. Investigimet zbulojnë se “Toyota” që shërbeu për ekzekutim përdorte targa greke të vjedhura dhe erdhi nga Nikla e me rrugë pa energji, faktorë që ngrenë pyetjen për përfshirjen e elementëve brenda sistemit të sigurisë që nuk reaguan në kohë.  Hetuesit janë përballur me faktin se Shaljani dhe Dani kishin marrë pjesë së bashku në udhëtime jashtë vendi vetëm ditë përpara përkatësisht nga Barcelona, dhe se autorët duket se kishin ndjekur lëvizjet e tyre për t’i kapur në befasi./Lapsi.al

The post (VIDEO) Minuta e fundit e Gilmando Danit në filmimet e kamerave të sigurisë appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: