Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga dhjetë ministra të kabinetit të tij, do të udhëtojë drejt kryeqytetit italian, ku nesër pritet të zhvillohet mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas axhendës zyrtare, në orën 11:40 do të zhvillohet takimi mes kryeministrit Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, ndërsa gjysmë ore më vonë, në 12:30, do të nisë mbledhja e përbashkët mes dy delegacioneve qeveritare. Pas takimeve dypalëshe, rreth orës 14:00 është parashikuar ceremonia e nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe memorandumeve bashkëpunimi në fusha strategjike si mbrojtja, siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, si edhe zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.
Mediat italiane raportojnë se në fushën e mbrojtjes, Italia do të ofrojë mbështetje teknologjike dhe pajisje moderne, ndërsa një pjesë e infrastrukturës detare do të vendoset në territorin shqiptar, për qëllime ndërtimi dhe mirëmbajtjeje të anijeve.
Sa i përket çështjeve të migracionit, pritet krijimi i një grupi të përbashkët pune, që do të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe në forcimin e kapaciteteve të patrullimit detar të Shqipërisë — një temë e ndjeshme për të dy qeveritë, pas debatit mbi marrëveshjen për qendrat e migrantëve.
Në delegacionin shqiptar marrin pjesë:
Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë;
Elisa Spiropali, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme;
Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë;
Albana Koçiu, ministre e Punëve të Brendshme;
Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes;
Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit;
Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit;
Sofjan Jaupaj, ministër i Mjedisit;
dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
The post Vizita në Itali, Rama me zv.kryeministren e pandehur, Belinda Balluku appeared first on Lapsi.al.
