Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Prokuroria e Posaçme ka komentuar në lidhje me fletëthirrjen ndaj kryedemokratit Sali Berisha në lidhje me çështjen e 21 Janarit. Me anë të një njoftimi për mediat, SPAK ka deklaruar se i kanë dërguar Berishës dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të Postës Shqiptare.
Sipas SPAK fletë-thirrja e parë është kthyer mbrapsht me shënimin se rojet janë të autorizuara që të mos pranojnë asnjë zarf. Ndërsa fletë-thirrja e dytë e dërguar në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) nuk është tërhequr nga grupi parlamentar i PD-së.
Reagimi i SPAK:
Përshëndetje, Në përgjigje të kërkesës suaj, ju informojmë si vijon: Deri tani janë dërguar dy urdhër-thirrje përmes shërbimit të postës shqiptare, më datë 3.11.2025 në adresën e banesës (për t’u paraqitur në SPAK në datë 7.11.2025) dhe në datën 7.11.2025, në adresën e banesës, Partisë Demokratike dhe Kuvendit (për t’u paraqitur në datën 14.11.2025).
Urdhër-thirrja e parë, e dërguar në banesë më datë 3.11.2025, është kthyer mbrapsht në Prokurorinë e Posaçme, me shënimin: “Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.”
Pas këtij konstatimi, Prokuroria e Posaçme ka vijuar me dërgimin e urdhër-thirrjes në tre destinacionet (Banesë, Partia Demokratike dhe Kuvend) më datë 07.11.2025. Më datë 09.11.2025, është refuzuar marrja e zarfit të dërguar në banesë, ndërsa më 12.11.2025 Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka njoftuar se marrja në dorëzim e njoftimit është refuzuar nga stafi politik i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Përmes shkresës është sqaruar gjithashtu se njoftimi për urdhër-thirrjen është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: sali.berisha@parlament.al, më datë 10.11.2025. Prokuroria e Posaçme do të vijojë zbatimin e parashikimeve ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
The post Berisha nuk u paraqit/ SPAK: I çuam fletëthirrje te shtëpia, por e kthyen appeared first on Lapsi.al.
