Tom Cruise dhe Dolly Parton nderohen me çmime nderi në Governors Awards

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Tom Cruise mori të dielën mbrëma një Oscar nderi në Los Angeles, duke u vlerësuar për gjithë kontributin e tij në kinematografi dhe për karrierën e gjatë 45-vjeçare, jo për një rol të veçantë aktorial. Presidentja e Akademisë, Janet Yang, përmendi përkushtimin e tij ndaj komunitetit të filmit, eksperiencës teatrale dhe akrobacive, duke theksuar rolin e tij në xhirimet e filmit të shtatë “Mission: Impossible” gjatë pandemisë Covid-19.

Alejandro González Iñárritu, që punon me Cruise në një film të ri për vitin 2026, e përshkroi punën e aktorit si “me planifikim të detajuar, por duke dukur krejtësisht e improvizuar”, ndërsa intensiteti i tij në ekran duket se shtrihet edhe jashtë tij.

Në të njëjtën ceremoni, Dolly Parton u nderua gjithashtu me një Oscar nderi për aktivitetin e saj humanitar, përfshirë Fondacionin Dollywood dhe përpjekjet për edukim dhe ndihmë në katastrofa natyrore. Për shkak të gjendjes shëndetësore, Parton nuk mund të ishte prezent, por mikja e saj Lily Tomlin lexoi mesazhin e saj dhe vlerësoi angazhimin e saj.

Gjithashtu u nderua Wynn Thomas, dizajner i njohur i produksionit, i cili ka punuar në filma si Do the Right Thing, A Beautiful Mind, Malcolm X dhe Hidden Figures. Octavia Spencer e prezantoi si një pionier që ka hapur rrugë për artistët e zinj dhe ka ndryshuar mënyrën se si portretizohen jetët e komunitetit të tij në kinematografi.

Cynthia Erivo vlerësoi karrierën e Debbie Allen si aktore, koreografe dhe regjisore, duke theksuar se puna e saj ka frymëzuar gjenerata të tëra. Allen foli për pengesat dhe sfidat që ka hasur, duke nxjerrë mesazhin e vetëbesimit dhe rëndësisë së mundësive që filmit i ofron njerëzimit.

Në fjalën e tij të pranimit, Cruise e përshkroi kinemanë si një mënyrë për të treguar humanitetin tonë të përbashkët, duke theksuar se “filmat nuk janë thjesht ajo që bëj; janë pjesë e identitetit tim”.

Ceremonia e Governors Awards, që zakonisht shërben si hapje për Oscars dhe nuk transmetohet drejtpërdrejt, u zhvillua në një atmosferë të relaksuar dhe me shumë respekt nga kolegët e industrisë së filmit./MXH

Shpërndaje: