Vrasja e Edmond Mëhallës drejt zbardhjes, 2 të arrestuar dhe një person i tretë në kërkim

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Naldo Gjini, i cili u shoqërua ditën e djeshme nga uniformat blu teksa u kap duke u larguar drejt Kosovës, është arrestuar nga policia e Elbasanit.

Ai akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.

Gjithashtu, sipas burimeve policia ka shoqëruar dhe po merr në pyetje edhe një tjetër person si të dyshuar si bashkëpunëtor në sigurimin e kushteve për të kryer ekzekutimin e 43-vjeçarit.

Të njëjtat burime pohojnë se një person i tretë është shpallur në kërkim, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes.

Vrasja e biznesmenit 43-vjeçar duket se është drejt zbardhjes, ndërsa grupi hetinor ka dyshime se shkak është bërë një konflikt i tij kohët e fundit.

Vrasja ndodhi rreth orës 20:35 të së dielës, pranë biznesit të viktimës në Unazën Jugore. Sipas ekspertëve, Mehalla është qëlluar me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, një metodë tipike e ekzekutimit profesional. Ai sapo ishte futur në automjet kur u ekzekutua.

Deri tani janë shoqëruar të paktën 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e Elbasanit dhe vijon kontrollet në banesa, rrugë dytësore dhe zona periferike. Familjarë dhe të afërm të viktimës janë marrë në pyetje për të ndihmuar në identifikimin e konflikteve të mundshme që 43-vjeçari mund të ketë pasur së fundmi.

Burime zyrtare konfirmojnë se viktima kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Ky fakt, së bashku me konfliktin e ditëve të fundit, po konsiderohet një pistë e fortë që hetuesit po e ndjekin me përparësi.

Grupi i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, vazhdon punën për mbledhjen e çdo prove dhe për analizimin e pamjeve filmike të zonës.

The post Vrasja e Edmond Mëhallës drejt zbardhjes, 2 të arrestuar dhe një person i tretë në kërkim appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: