Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Lapsi.al ka siguruar videon e atentatit ku u ekzekutua biznesmeni 43-vjeçar Edmond Mëhalla, i njohur si “Mondi”, të dielën në mbrëmje në qytetin e Elbasanit. Pamjet tregojnë momentin kur autorët afrohen pranë mjetit të viktimës dhe qëllojnë disa herë, ndërsa personi i armatosur është i veshur me kapuç për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.
Vrasja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”. Viktima sapo kishte dalë nga zyra dhe u fut në automjetin e tij Range Rover, kur u qëllua me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Sipas policisë, pasi u siguruan se objektivi kishte ndërruar jetë, autorët u larguan me një mjet “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan–Librazhd.
Arrestimet dhe të kërkuarit
Hetimi çoi në arrestimin e Xhino Ago, ish-ortak i viktimës, banues në Elbasan, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në pranga u vu edhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje në një karburant, i cili akuzohet për “moskallëzim krimi”.
Autoritetet kanë shpallur në kërkim dy persona:
• Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale
• Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, i dyshuar për veprat “Vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”
Materialet janë dërguar për ekspertizë, ndërsa një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, po punon për dokumentimin e plotë të çështjes.
Dyshimet, mosmarrëveshje për borxhe të pashlyera

Burime pranë hetimit thonë se viktima dhe personat e dyshuar ishin të njohur mes tyre. Dyshohet se Mëhalla kishte pasur konflikte të zgjatura me disa prej tyre lidhur me borxhe të pashlyera, të dhëna me fajde, dhe se tensionet kishin agravuar prej muajsh.
Sipas të njëjtave burime, viktima kishte ushtruar presion dhe më herët kishte pasur konflikte verbale e fizike me disa prej personave të përfshirë, çka mund të ketë ndikuar për atentatin. Dyshohet se vrasja është kryer në kushtet e një hakmarrjeje të menjëhershme, pas një konflikti të degjeneruar, por rolet e secilit prej personave të arrestuar dhe të kërkuar mbeten për t’u përcaktuar nga hetimet.
Ndërkaq, Rolando Gjoni, banues në Lezhë, është shoqëruar dhe marrë në pyetje, pasi kishte në përdorim një nga automjetet e viktimës. Ai ka dhënë shpjegimet e tij dhe është lënë i lirë, pasi autoritetet nuk kanë konstatuar përfshirje të tij në krim./Lapsi.al
The post Del VIDEO e ekzekutimit në Elbasan/ Dyshimet e vrasjes për borxhet e pashlyera appeared first on Lapsi.al.
