Strategjia/ Rama bllokon punët e qeverisë për të mbrojtur “Belën”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të luajë gjithçka për të mbajtur në detyrë Belinda Ballukun. Këtë të enjte, ai solli shembuj të tjerë të punëve të bllokuara të qeverisë për shkak të pezullimit të Belinda Ballukut në detyrë, raste të ngjashme me marrëveshjen e mbetur pezull për fluturimet direkte me Kanadanë. Rama tha se janë edhe 35 leje të tjera ndërtimi për projekte dhe godina publike që janë bllokuara në pritje të firmës së ministres.

“Si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Kushtetuese” u shpreh Rama.

Gjatë komunikimit të radhës nga Facebook dedikuar çështjes “Balluku”, Rama tha se nuk ka ndërmend ta shkarkojë Ballukun, pasi kjo nuk është çështje e emrit, por një çështje parimore për ndarjen e pushteteve, pasi pezullimi i ministrit nga gjykata do të krijonte probleme për qeveritë e tjera në të ardhmen.

“Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes, pse nuk e heq ky ministren dhe merr zgjidhje ky problem. Jo, sepse heqja e ministrit nuk do zgjidhet këtë problem, por do krijonte problem për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por mjafton një masë sigurie, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte kuvendin, do përqeshte votën popullore” u shpreh kryeministri.


Fjala e plotë e Ramës në mbrojtje të Ballukut

“U bë sebep një mik për të bërë këtë komunikim, kur më shkruan e kuptoj shqetësimin tënd lidhur me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministrit se nesër bëhet rrugë dhe prokurorët e gjykatësit të heqin kë të duan nga qeveria, ajo linjë ajrore me Kandanë mu duk pak e tepërt. Mbase nuk është pak e tepërt, por shembuj që sjell i sjell për të thënë sa i tepërt është pezullimi i një ministri. Ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri jo vetëm nuk firmos dot vetë asgjë por bën që askush tjetër të mos marrë vendim dhe të firmosë gjësendi ne emër të dikasterit. Kushtetua ia jep ministrit autoritet ekskluziv. Pezullimi është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.

Për gjërat janë bllokuar është edhe marrëveshja me Kandanë për fluturimet ajrore, po mundohemi mos e zgjidhim me ministrinë e jashtme. Ja ta zëmë se e zgjidhëm, po me 35 vendime të tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në infrastrukturë, godina publike, që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar. Si do ja bëjmë? Këto janë punë të bllokuara që do shtohen çdo ditë, prandaj kam shkuar në Kushtetuese. Nuk ndërhyj në punë e gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një doje për një anëtar kabineti. Unë flas për cenimin e balancës mes pushteteve, për ndërhyrjen brutale në përbërjen qeverisë, për marrjen e kompetencave. Flas se si prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorin përkatës.

Kjo i jep përgjigje edhe pyetjes, pse nuk e heq ky ministren dhe merr zgjidhje ky problem. Jo, sepse heqja e ministrit nuk do zgjidhet këtë problem, por do krijonte problem për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por mjafton një masë sigurie, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte kuvendin, do përqeshte votën popullore. Ja pse kam shkuar në Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri nuk ka asnjë lidhje me emrin e vetë ministrit”, tha Rama.

The post Strategjia/ Rama bllokon punët e qeverisë për të mbrojtur “Belën” appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: