Çështja e “21 janarit”/ ish-presidenti, Bamir Topi paraqitet në SPAK

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Ish-presidenti, Bamir Topi, është paraqitur mëngjesin e kësaj të martë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Mësohet se ish-presidenti do të merret në pyetje si person në dijeni, në lidhje me çështjen e 21 Janarit, ku u vranë 4 protestues. Për të njëjtën dosje më herët është marrë në pyetje edhe Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Hetimi për ngjarjen e 21 janarit është rihapur nga SPAK një vit më parë, pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë që urdhëronte Prokurorinë e Posaçme të hetonte një kallëzim të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, njëri prej 4 viktimave të 21 Janarit.

Kujtojmë se në demonstratën e 21 Janarit të vitit 2011 u vranë Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Gjykata ka vlerësuar se vrasjet e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste (asokohe opozitë) para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me rradhë në kërkim të provave.

 

The post Çështja e “21 janarit”/ ish-presidenti, Bamir Topi paraqitet në SPAK appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: