Mbledhja e Këshillit Kombëtar/ Berisha: Protesta brenda dhe jashtë Shqipërisë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga mbledhja e Këshillit Kombëtar sot, se e vetmja rrugë për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës janë protestat e fuqishme, brenda dhe jashtë vendit.

Ai paralajmëroi se vala e këtyre tubimeve antiqeveritare do shtrihet edhe jashtë Shqipërisë, duke udhëzuar anëtarët e pranishëm për këtë strategji. Sipas tij, situata është e rrezikshme dhe kërkon guximtarë që të mos lëvizin nga sheshi deri në rrëzimin e qeverisë, duke nisur nga protesta e 22 dhjetorit.

“Të gjitha këto na faktojnë se në çfarë situate jemi, sa e rrezikshme është, duhet ta pranojmë se është e rrezikshme. Por për të gjithë ata guximtarë që mendojnë për vendin dhe të afërmit e tyre, përballja deri në fitore me këtë kalbësirë, që është i aftë për çdo krim dhe rrugë, për të marrë atë që ai do. Ndaj të dashur anëtarë dhe shqiptarë, kjo është ora e thirrjes për çdo idealist, atdhetar dhe shqiptar. U tejkalua çdo lloj vije dhe standardi”.

Më tej ai argumentoi se kjo qeveri nuk bën asgjë tjetër, veçse ndan pasuritë e shqiptarëve, duke marrë peng edhe njerëz në emër të kreut të ekzekutivit dhe familjes së tij. Ndaj sugjeroi që PD të kalonte në një “orbitë të re”, që ishin protesta qytetare.

“Ish-koordinatori për banda i Ramës, merr peng për t’i hapur rrugën kunatit të familjes. Këta nuk bëjnë asgjë tjetër, vetëm ndajnë e vjedhin pasuritë e shqiptarëve, asgjë tjetër. Ndaj dhe thirrja ime është të spostohemi në një orbitë të re, kërkohet një orbitë e re, e përballjes me këtë regjim, thirrje për secilin prej nesh, guxim, rekreativitet për të gjitha format e rezistencës së lëvizjes dhe garantoj se fitorja është e Partisë Demokratike dhe shqiptarëve. Asgjë nuk do na ndajë ne pa rikthyer Kushtetutën, ligjin, të drejtat e shqiptarëve për votën e lirë dhe ndëshkuar këtë organizatë kriminale të papërmbajtur në vjedhjen e shqiptarëve”, u shpreh kreu i selisë blu.

Kryedemokrati akuzoi edhe kreun e Parlamentit, Niko Peleshi, se ka mbyllur në kasafortë dosjen e Ballukut që kishte çuar SPAK për imunitetin, me pretendimin se janë sekret hetimor, por shpjegoi se ishte shkelur ligji, sepse materialet duhet t’i jepen anëtarëve të Këshillit të Imuniteteve dhe deputetëve. Berisha shtoi se qëllim është fshehja e skandaleve të tenderimeve dhe komunikimeve në mesazhe dhe filmimet që ka dosja.

“Në thoni tani, prokuroria çon në parlament kërkesën për arrestimin e Lubisë. Prokuroria ka dërguar qindra dokumente, ligji dhe prokurori ia adreson çdo deputeti të Parlamentit dhe kryetarit. Rama urdhëron Niko Peleshin dhe ai ndërhyn në kasafortë, në fillim mashtron se ka kërkuar prokurori se janë sekret, ato sigurisht janë sekret, por jo për anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe deputetët! Pse janë sekret? Sepse aty del Rama me njerëzit e tij, dalin Lotet aty dhe aty del Rama, plus janë edhe filmime dhe fjalë të tjera. Vetëm zyrtarë s’mund të quhen ata me ato komunikime, e tani duan t’i fshehin. Na thoni se çfarë të bëjmë ne, si mund të mbahen dokumentet, vetëm e vetëm se Rama është i zhytur deri në vesh”, nënvizoi kryedemokrati.

Madje ai vuri theksin edhe tek presionet që Balluku i ka bërë kryeministrit, ndaj dhe ky i fundit po e mbronte duke përdorur të gjithë makinerinë shtetërore.

“Se ajo në shtator në takim i tha se sa për mesazhe ti ke më shumë nga unë aty. Se ky i tha ja e ke prish me ato mesazhet, por ajo i kujtoi se aty kishte ai më shumë mesazhe me Berberin dhe të tjerët. Shikoni tani, rrezikojnë të mos na japin dokumentet, duan të fshehin krimin dhe vjedhjen. Ose të përballemi tani, ose të shtrijmë qafën, por këtë kurë s’e bëjmë ne”, shtoi Berisha.

Në fund, Berisha bëri apel për të gjithë qytetarët dhe udhëzoi anëtarët e Këshillit të dilnin në bazë për të mbledhur protestues për 22 dhjetorin. Ai paralajmëroi shtrirjen e protestave edhe jashtë vendit, teksa denoncoi se edhe disa ndërkombëtarë që i cilësoi “protesta Mogerini”, i dolën kundër PD-së.

“Ndaj ju kërkoj të angazhoheni këto ditë në takime intensive me qytetarët, është koha e guximtarëve. U thoni hajde ti në radhë të parë dhe ai që s’vjen, kaloni te tjetri. Të mblidhemi burra e gra të zëmë sheshin 5 mijë, 10 mijë, derisa ta rrëzojmë, e të mos lëvizim. Kemi rrëzuar ne regjime, por me protesta, vetëm me protesta rrëzohen. Imagjinoni protestat me Mogerina sa çfarë efekti ka pasur kundër nesh, ndaj falënderoj partitë simotra që kanë miratuar 7 rezoluta deri tani. Axhenda jonë do jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë, me të gjitha format, kudo, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Degët tona, kudo që janë, do angazhohen në protesta të fuqishme kundër kleptokracisë dhe regjimit shqiptare. Ramën nuk ka forcë që e shpëton nga PD dhe populli shqiptar”, përfundoi ai.

The post Mbledhja e Këshillit Kombëtar/ Berisha: Protesta brenda dhe jashtë Shqipërisë appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: