Zyrtarët policorë në të gjithë Kosovën kanë qenë të angazhuar intensivisht ditëve të fundit, jo vetëm në kryerjen e detyrave rutinë, por edhe në menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut.
Si pasojë e përmbytjeve, janë prekur rrugë, toka bujqësore, shtëpi banimi dhe lokale afariste, ndërsa në disa zona janë shembur ura dhe janë ndërmarrë masa për evakuimin e familjeve nga zonat më të rrezikuara.
Policia ka monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke orientuar trafikun në rrugë alternative dhe duke u koordinuar ngushtë me Shtabet Komunale dhe institucionet e tjera relevante për menaxhimin e situatës emergjente.
Sipas njoftimit zyrtar, në rajonin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jugu, që përfshin komunat Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, janë evakuuar gjithsej 39 familje të rrezikuara nga përmbytjet.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj me përkushtim të plotë, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet operative për ofrimin e sigurisë dhe asistencës ndaj shërbimeve emergjente, me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve në këto situata të jashtëzakonshme.
The post 39 familje të evakuara nga përmbytjet në Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri appeared first on Euronews Albania.
