Çmimet në vitin 2025 nuk pësuan luhatje të forta. Treguesit flasin për një nivel mesatar inflacioni prej 2.2%, i njëjtë me mesataren e regjistruar edhe në vitin 2024, duke reflektuar një ecuri çmimesh relativisht të kontrolluar.
Në muajin dhjetor, kur çmimet historikisht rriten nga kërkesa e shtuar për blerje gjatë festave, inflacioni ishte 2.3%. Por, ndryshe nga vitet e kaluara, ushqimet këtë herë patën një rritje më të moderuar, në nivelin 1.6%, ndërsa ndryshimin e bënë qiratë dhe argëtimi. Këto të fundit u bënë më të shtrenjta, duke reflektuar përkatësisht rritje në nivelin 4.8% dhe 3.6%.
Të dhënat që raporton INSTAT flasin për një treg të qëndrueshëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë, prej nga vendi ynë importon mallra, ndërsa për këtë vit pritshmëritë e Bankës Qendrore dhe qeverisë janë për një inflacion mesatar vjetor që rritet lehtë në nivelin 3%.
Për këto institucione, ky nivel reflekton një ekonomi të shëndetshme në treg.
The post Ndryshojnë kostot e jetesës por inflacioni mbetet i kontrolluar appeared first on Euronews Albania.
