Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kompleksi Memorial në Reçak, ka kujtuar sot masakrën ndaj 45 viktimave, duke theksuar se ky krim ishte dëshmi e gjallë e synimit të Serbisë për të zhdukur popullin shqiptar nga faqja e dheut.
Pas homazheve, Osmani ka theksuar se dhimbja për masakrën e Reçakut mbetet e freskët edhe pas 27 vitesh, ndërsa Serbia ende nuk është ndëshkuar për këtë dhe krime të tjera të kryera në Kosovë. Ajo ka shtuar se politika dhe mendësia e njëjtë vazhdojnë ende, duke përfshirë edhe mohimin e masakrës së Reçakut.
“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë përkujtojmë të gjitha viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është po aq e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
The post Osmani: Masakra e Reçakut, dëshmi e qëllimit shfarosës të Serbisë ndaj shqiptarëve appeared first on Euronews Albania.
