Votuesit portugezë iu drejtuan qendrave të votimit të dielën për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, ndërsa sondazhet e opinionit tregojnë një garë të ngushtë mes tre kandidatëve kryesorë, përfshirë edhe liderin e partisë së ekstremit të djathtë Chega. Sipas parashikimeve, ka gjasa të mëdha që zgjedhjet të shkojnë në një balotazh mes dy kandidatëve më të votuar.
Që prej rrëzimit të diktaturës fashiste, gati pesë dekada më parë, zgjedhjet presidenciale në Portugali vetëm një herë në vitin 1986 kanë kërkuar një raund të dytë votimi. Kjo tregon sa i fragmentuar është bërë peizazhi politik i vendit, veçanërisht me rritjen e së djathtës ekstreme dhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj partive tradicionale.
Megjithëse presidenca në Portugali ka kryesisht një rol ceremonial, ajo disponon disa kompetenca të rëndësishme, përfshirë shpërndarjen e parlamentit në rrethana të caktuara, thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe vendosjen e vetos ndaj ligjeve.
Rreth 11 milionë qytetarë kanë të drejtë vote. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00, ndërsa sondazhet e daljes në votime priten në orën 20:00. Rezultatet paraprake pritet të publikohen gjatë natës.
Sondazhi i fundit parazgjedhor, i publikuar të premten nga instituti Pitagórica, e rendit kandidatin e Partisë Socialiste, António José Seguro, në krye me 25.1% të mbështetjes. Pas tij vjen lideri i Chega-s, André Ventura, me 23%, ndërsa João Cotrim de Figueiredo, eurodeputet nga partia e djathtë pro-biznesit, renditet i treti me 23%.
Në zgjedhjet parlamentare të majit të kaluar, Chega një parti anti-establishment dhe anti-imigracion e themeluar rreth shtatë vjet më parë u bë forca kryesore e opozitës, duke marrë 22.8% të votave. Disa sondazhe të javës së fundit treguan Venturën lehtësisht përpara, por gjithmonë brenda kufirit të gabimit statistikor. Megjithatë, të gjitha parashikimet për balotazhin sugjerojnë humbjen e tij, për shkak të nivelit të lartë të refuzimit nga mbi 60% e elektoratit.
Njësia e Inteligjencës e revistës The Economist vlerëson se një balotazh mes Seguro-s dhe Venturës “do të ishte më i parashikueshëm, duke pasur parasysh mbështetjen e kufizuar të Venturës përtej bazës së tij elektorale”. Ndërkohë, një përballje që do të përfshinte Cotrim de Figueiredo do të ishte më e balancuar dhe më e vështirë për t’u parashikuar.
“Edhe pse presidenca është kryesisht simbolike, Ventura është i vetmi kandidat që sinjalizon një qasje më ndërhyrëse. Megjithatë, EIU e konsideron të pamundur që kjo të përkthehet në fitore”, thuhet në analizë.
Në garë janë edhe tetë kandidatë të tjerë, përfshirë Luís Marques Mendes, i mbështetur nga Social Demokratët e qendrës së djathtë në pushtet, si dhe admirali në pension Henrique Gouveia e Melo, i njohur për drejtimin e fushatës së vaksinimit kundër Covid-19. Të dy këta kandidatë gëzojnë mbështetje mbi 11%.
The post Portugalia voton për president, gara e ngushtë rrit gjasat për balotazh appeared first on Euronews Albania.
