Referendum në Zvicër: Qytetarët votojnë për të ardhmen e parave “të thata”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Më 8 mars, qytetarët e Zvicrës do të vendosin në një referendum nëse disponimi i parave “cash” duhet të garantohet nga Kushtetuta.

Fletëvotimi do të përfshijë si një iniciativë qytetare ashtu edhe një kundërpropozim të qeverisë federale, raporton Swissinfo. Edhe pse përdorimi i parave “cash” në Zvicër ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, shumica e qytetarëve duan që ato të mbeten në qarkullim.

Sipas të dhënave nga Banka Kombëtare Zvicerane, pjesa e pagesave me para në dorë ra nga më shumë se 70 për qind në vitin 2017 në rreth 30 për qind në vitin 2024, ndërsa më pak se 20 për qind e të rinjve të moshës 15 deri në 34 vjeç përdorin para në dorë.

Megjithatë, më shumë se dy të tretat e të anketuarve deklarojnë se duan të mbajnë mundësinë e pagesës me para në dorë.

Në referendum do të votohet për iniciativën “Paraja është Liri”, e nisur nga Lëvizja Zvicerane për Liri (MSF), si dhe kundërpropozimin e qeverisë. Iniciativa kërkon që monedhat dhe kartëmonedhat të jenë të disponueshme përgjithmonë në sasi të mjaftueshme dhe që çdo zëvendësim i mundshëm i frangës zvicerane me një monedhë tjetër duhet të miratohet në një referendum.

Kundërpropozimi i qeverisë parashikon që në Kushtetutë të deklarohet se franga zvicerane është monedha kombëtare dhe se Banka Kombëtare është e detyruar të sigurojë furnizimin me para të gatshme, por pa specifikuar sasitë.

The post Referendum në Zvicër: Qytetarët votojnë për të ardhmen e parave “të thata” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: