Ish-gardiani i burgut të Prishtinës deklarohet i pafajshëm për krime lufte

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

I pandehuri Boban Toniç u deklarua i pafajshëm për akuzën për krime lufte, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën, më 20 janar, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Toniç akuzohet se në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës, paraleles në Lipjan gjatë viteve 1998-99 kishte shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur.

Në seancë, gjyqtari Rrahman Beqiri e informoi fillimisht të akuzuarin për të drejtat e tij dhe më pas ai u deklarua i pafajshëm, raporton Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj Toniçit u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 31 janar të vitit 2025.

Prokuroria tha atëbotë se ekziston dyshimi se i pandehuri, së bashku me gardianë të tjerë, “në mënyrë sistematike i kishin keqtrajtuat të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dhunë psikike”.

“I pandehuri, në bashkëkryerje, i kishte lënë të burgosurit pa ushqim për ditë të tëra, i kishte kanosur seriozisht për jetën dhe, si pasojë e rrahjeve të vazhdueshme dhe trajtimit çnjerëzor, ata kanë pësuar gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Gjykata njoftoi se avokati i të pandehurit, Pregrad Millkoviç, ka 20 ditë afat që të kundërshtojë provat e Prokurorisë dhe të bëjë kërkesë për hedhjen poshtë të aktakuzës.

Së voni, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Aktakuza e fundit e ngritur ishte ajo më 16 janar, kundër një gruaje e cila dyshohet se në cilësinë e gardianes së burgut të Prishtinës, paralelja në Lipjan kishte keqtrajtuar, kanosur dhe torturuar të burgosurat shqiptare.

The post Ish-gardiani i burgut të Prishtinës deklarohet i pafajshëm për krime lufte appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: