Interi ka përforcuar mbrojtjen e tij me nënshkrimin e talentit kroat Leon Jakirovic, i cili vjen nga Dinamo Zagreb. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga klubi italian, i cili njoftoi se mbrojtësi i lindur në vitin 2008 do të luajë për ekipin U-23 nën drejtimin e Cristian Vecchit.
Sipas njoftimit zyrtar, Interi ka blerë Jakirovic nga Dinamo Zagreb për 2.5 milionë euro, plus të njëjtën shumë në bonuse dhe një interes prej 10% për çdo rishitje të ardhshme.
Leon Jakirovic ka lindur më 16 janar 2008 në Pozega, Kroaci, afër kufirit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Ai e filloi karrierën te Sesvete Jgd dhe në verën e vitit 2019 u transferua te Dinamo Zagreb. Gjatë sezonit 2023/2024 kaloi te ekipi U-17, ndërsa verën e kaluar u bë pjesë e ekipit U-19.
Jakirovic është një mbrojtës qendror 191 cm i gjatë, me këmbë të majtë, dhe është krahasuar me Gvardiol në Kroaci. Ai filloi karrierën si sulmues në moshë të re, por tashmë luan kryesisht si mbrojtës krahu në një mbrojtje me tre lojtarë dhe mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë.
Ai është djali i Sergej Jakirovic, trajnerit aktual të Hull City në Championship. Leon debutoi sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve në ndeshjen në shtëpi kundër Milanit dhe tashmë nis një etapë të re në karrierën e tij me Interin.
“Puna e palodhur, konsistenca dhe momenti i duhur. Ky është vetëm fillimi,” shkruhet në njoftimin e agjencisë së tij.
The post Interi zyrtarizon talentin kroat Leon Jakirovic nga Dinamo Zagreb appeared first on Euronews Albania.
