Shpresat e Marc-André ter Stegen për Kupën e Botës 2026 kanë pësuar një goditje të rëndë. Huazimi i tij te Girona, i nisur vetëm disa javë më parë për të rifituar formën dhe minutat në fushë, po shndërrohet në një makth sportiv.
Portieri gjerman 33-vjeçar ka pësuar një këputje të re muskulore gjatë humbjes 0-1 ndaj Real Oviedos, në vetëm ndeshjen e tij të dytë me klubin katalanas. Dëmtimi në kofshën e majtë pritet ta mbajë jashtë fushave deri në dy muaj.
Situata ka vënë në lëvizje edhe drejtuesit e Gironës, të cilët po shqyrtojnë aktivizimin e një klauzole për ndërprerjen e menjëhershme të huazimit dhe kthimin e Ter Stegen te Barcelona. Diskutimet mes dy klubeve janë në zhvillim.
Për pasojë, Ter Stegen rrezikon të humbasë ndeshjet miqësore të Gjermanisë në mars dhe, më shqetësuese akoma, shanset për një ftesë në Botërorin 2026, pasi trajneri Julian Nagelsmann ka theksuar se koha e lojës është kusht kyç për përzgjedhjen. Nëse kthehet i dëmtuar në Barcelonë, pa perspektivë aktivizimi, ëndrra e Botërorit mund të shuhet përfundimisht.
The post Ter Stegen drejt një goditjeje vendimtare për Botërorin 2026 appeared first on Euronews Albania.
